FSHF, investime në stadiumin e Durrësit

TIRANË, 22 tetor/ATSH- A. Fortuzi/ – Stadiumi “Niko Dovana” i Durrësit do të ketë tapet të ri. Federata Shqiptare e Futbollit ka investuar në impiantin ku zhvillon ndeshjet e saj skuadra e “Teutës”, për t’i dhënë pamje të re qilimit të gjelbër.

Ndërhyrje impianti po pëson edhe në zonën e tifozerive. Po punohet te pista e atletikës, po ashtu te zona e dhomave.

Punimet po kryhen për mbjelljen e barit të ri në fushë, që pritet të ndryshojë shumë cilësinë e tapetit të blertë. Sakaq makineritë e rënda po punojnë edhe për rehabilitimin e pistës së atletikës. Ende nuk dihet se kur do të jetë gati fusha dhe pista e atletikës për të zhvilluar gara sportive. Gjithsesi lajmi i mirë është që po tregohet vëmendje ndaj terreneve sportive, ku çdo javë luhen ndeshje të kampionatit. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.