FOTO/ Vjeshta pikturon me ngjyra të arta zonat e mbrojtura

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ – Zonat e Mbrojtura në Shqipëri vlerësohen si një mundësi efektive për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Ato përfaqësojnë në vetvete, resurse të jashtëzakonshme dhe bukuri natyrore, që tërheqin në vazhdimësi turistë vendas dhe nga vende të tjera të botës.

Prandaj dhe po punohet fort që këto zona të mbrojtura të promovohen për vlerat e jashtëzakonshme të biodiversitetit që ato mbartin, por edhe si destinacione të rëndësishme turistike në nivel kombëtar dhe më gjerë.

Në Shqipëri, zonat e mbrojtura zënë 20% të territorit ose e shprehur ndryshe, 1 në çdo 6 metra katrorë është zonë e mbrojtur.

Stina e vjeshtës ka trokitur në këto zona të mbrojtura duke i kthyer ato në destinacione mjaft tërheqëse turistike ku panorama e tyre duket si telajo ku shkrihen ngjyrat e arta të vjeshtës.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka ndarë një album fotosh të cilat duken si piktura të cilat i ka emëruar “Vjeshtë në zonat e mbrojtura”.

“Ngjyrat e stinës janë një spektakël i papërsëritshëm i natyrës, siç e dëshmojnë edhe këto foto të shkrepura gjatë monitorimeve të vazhdueshme nga rangers, në Shebenik-Jabllanicë, Korab-Koritnik, Theth, Bredhi i Hotovës – Dangëlli dhe në zona të tjera të mbrojtura”, shprehet ministri Klosi.

Këto zona tashmë po kthehen në destinacione turistike për shkak të bukurive natyrore dhe relievit të larmishëm, i cili është i përshtatshëm për turistët, që nga ata që duan të shijojnë natyrën, deri tek turistët aventurierë të cilët mund ta eksplorojnë zonën duke bërë hiking nëpër shtigje të ndryshme./a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.