FOTO/ Flukse turistësh të huaj në ujërat termale të Bënjës

146

TIRANË, 22 tetor/ATSH/- “Qyteti i trëndafilave”, Përmeti, në juglindje të Shqipërisë gjithnjë e më shumë po tërheq turistët e huaj me bukuritë, natyrën dhe monumentet e shumta kulturore që shtrihen në territorin e tij.

Edhe në këto ditë vjeshte, Përmeti ka pasur flukse vizitorësh nga vendi, por edhe të huaj.
Nënkryetari i bashkisë së Përmetit, Llazar Thanasi, tha për ATSH-në se “në ujërat termale të Bënjës në Përmet deri në orët e vona të natës ka flukse turistësh të huaj dhe vendas, që e kalojnë natën me çadra dhe ruleta”.

Sipas tij, përveç sezonit turistik edhe muajt shtator dhe tetor, kanë qenë të frekuentuar nga turistët.

Nënkryetari Thanasi tha për ATSH se “turistët e huaj janë kryesisht nga Europa Qendrore, si Poloni, Çeki, Holandë, Danimarkë, por edhe vizitorë vendas që qëndrojnë një natë, ose kalojnë ditën në qytetin e Përmetit”.

Qyteti i Përmetit është i pastër, i ndërtuar mirë, i vendosur vërtet shumë bukur buzë Vjosës së kaltër, e cila rrjedh vrullshëm nëpër një hon që e ka çarë vetë.
Buzë lumit në hyrje të qytetit, ngrihet një shkëmb i madh i shkëputur nga mali.

Në majë duken rrënojat e një manastiri, vendbanim i ndonjë shenjtori të degdisur, kurse rrëzë tij rrjedh një burim me ujë të kristaltë.

Në kodrën aty më lart ngrihen gërmadhat e një kalaje të kohës së Ali Pashës.
Këto janë pak gjëra që mund t’i gjesh në qytet, por jashtë tij ke Frashërin me 28 fshatra përreth, teqenë e famshme të Bektashinjve, është për t’u vizituar Parku Kombëtar i Hotovës, Kisha e Leusës e plot mundësi të tjera./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.