Clint Eastwood rikthehet me “The Mule”

TIRANË,22 tetor /ATSH/ – Për çdo film të prodhuar vitet e fundit nga Clint Eastwood thuhet se me gjasë do të jetë i fundit, për shkak të moshës së tij, por në fakt katër herë fituesi i çmimit “Oscar” ka demonstruar të kundërtën.

Madje filmin e tij më të fundit “The Mule”, e ka përfunduar më herët se afatet, i njohur tashmë si standardi Eastwood. Në kinematë amerikane filmi do të dalë më 14 dhjetor.

Bazuar në një ngjarje të vërtetë, filmi tregon historinë e Earl Stone, interpretuar nga Eastwood, një 80-vjeçar i vetmuar, i mbetur trokë pas mbylljes së biznesit, që detyrohet të bëjë transportuesin e drogës për një kartel meksikan.

Ngarkesat sa vinin dhe rriteshin, deri sa tërheqin vëmendjen e një agjenti të DEA-s, Colin Bates interpretuar nga Bradley Cooper.

Filmi pritet të ketë të njëjtin sukses si Gran Torino në 2008, i cili fitoi 148 milionë dollarë, duke demonstruar se Eastwood nuk di të ndalet dhe se mosha e tij 88-vjeçare është thjesht një numër. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.