Bashkia e Durrësit, shpërblime për 61 nxënës të ekselencës

TIRANË, 22 tetor /ATSH/ – Bashkia e Durrësit ka dhënë shpërblime financiare për 61 nxënës  të ekselencës. Këta nxënës u renditën më të mirët e Maturës Shtetërore 2016-2017, dhe fitues të Olimpiadave Kombëtare 2017-2018.

Në ceremoninë e rastit mori pjesë kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, Drejtori i Arsim-Kulturës në bashkinë Durrës, Adrian Gurra, si dhe nxënësit ekselentë të cilët morën shpërblimin mbi rezultatet e larta.

Kryebashkiaku Dako u shpreh se Bashkia e Durrësit i vlerëson dhe i mbështet nxënësit të cilët kanë rezultate të shkëlqyera si një brez i ri, i cili do ta çojë përpara qytetin e Durrësit:

“Ne si bashki i vlerësojmë dhe jemi gjithmonë pranë jush. Ky shpërblim financiar është një akt modest që bashkia e Durrësit realizon, por duam të përcjellim mesazhin që ne i vlerësojmë të gjithë nxënësit të cilët kanë rezultate të shkëlqyera. Ne vlerësojmë më shumë ata të cilët japin kontribut më shumë, ata të cilët janë fitues të olimpiadave, jo vetëm në rang lokal, por edhe kombëtar dhe këtë do ta vazhdojmë ta bëjmë edhe në vitet e tjera, duke ju mbështetur, sepse ne besojmë tek e ardhmja, besojmë tek ju që jeni një brez i ri, i cili do ta çojë përpara qytetin e Durrësit. Unë ju falenderoj edhe një herë për përpjekjet, dua të falenderoj edhe prindërit për sakrificat që bëjnë për fëmijët, por nga ana tjetër dua t’iu jap edhe njëherë mesazhin që këto sakrifica që bëjnë prindërit, ju mund t’ia ktheni vetëm nëpërmjet të lexuarit, nëpërmjet të mësuarit. Ju uroj suksese dhe një vit të ri shkollor të mbarë”.

Më pas, së bashku me shpërblimet, kryebashkiaku Dako shpërndau edhe certifikata mirënjohjeje për nxënësit e dalluar. o/l/.j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.