261 procedime në një javë në kryeqytet, 70 të arrestuar

TIRANË, 22 Tetor/ATSH- A. Fortuzi/- Policia e Tiranës në javën e shkuar ka arrestuar 70 shtetas, ndërsa ka proceduar në gjendje të lirë 183 shtetas të tjerë. Po ashtu gjatë javë së shkuar u shpallën në kërkim dhe 8 shtetas për vepra të ndryshme penale.

Policia e Tiranës sqaron se, gjatë javës që lamë pas strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë në kuadër të evidentimit dhe goditjes të paligjshmërisë kanë proceduar penalisht 261 shtetas, nga këta: 70 shtetas të arrestuar për vepra të ndryshme penale; 183 shtetas të proceduar në gjendje të lirë: 8 shtetas të shpallur në kërkim

Ka vijuar monitorimi i rrugëve urbane dhe interurbane me Radar me qëllim mbajtjen në kontroll të shpejtësisë dhe rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë ku gjatë kontrolleve të ushtruara janë proceduar penalisht 43 shtetas, nga këta: 12 shtetas të proceduar për “Shkelje të rregullave të qarkullimit Rrugor”; 26 shtetas të proceduar për “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”; 5 shtetas të proceduar për “Largim nga vendi i aksidentit”.

Në kuadër të Policimit në Komunitet janë zhvilluar takime sensibilizuese në shkolla me qëllim ndërgjegjësimin e nxënësve ndaj pasojave të dëmshme që sjell përdorimi i drogës apo substancave të tjera të rrezikshme. Janë plotësuar 21 Kërkesë Padi për Urdhër-mbrojtje të Menjëhershme. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.