Pas murales së përzgjedhur nga revista prestigjioze, një “muze” i hapur për turistët në Urën Vajgurore

TIRANË 21 tetor/ATSH-Z.Tosku/- Pas këtij suksesi të arritur me përzgjedhjen e murales së pikturuar në qytetin e Urës Vajgurore, nga revista prestigjioze zvicerane “Wild Walls” si një nga 10 më të mirat në botë, bashkia e Urës Vajgurore po sheh mundësinë e krijimit të një “muzeu” të hapur për vizitorët.

Ky lajm është bërë i ditur nga kryetarja e bashkisë së Urë-Vajgurore, Juliana Memaj në një intervistë dhënë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

“Pas këtij suksesi të arritur, bashkia e Urës Vajgurore do ta shikojë këtë vlerësim si një mundësi për të vijuar me punën e nisur. Kjo do të thotë që do të shikojmë mundësinë për të krijuar një “muze” të hapur, ku vizitorë të huaj dhe vendas do të mund të përshkruajnë një rrugë e cila do t’u tregojë atyre një ngjarje e cila “krijohet” në sytë e tyre përmes muraleve në fasadat e pallateve”, -u shpreh Memaj për ATSH.

Tre muralet e kuruara nga artisti i njohur shqiptar, Helidon Haliti, me mbështetjen e bashkisë Urë Vajgurore, ka sjellë edhe rritjen e numrit të turistëve në këtë qytet.

“Nuk mund të fsheh emocionin e renditjes të murales së Urës Vajgurore si 1 ndër 10 më të mirat në botë. Sidomos, kur ky lajm na vjen nga një revistë prestigjioze zvicerane që është e specializuar në këtë fushë dhe kur qyteti ynë renditet në krah të vendeve të njohura si SHBA, Austri, Kaliforni, Austri, Norvegji, Masaçusets, Ilinois, Itali dhe Bjellorusi, ky emocion është i madh. Si administratore e qytetit duhet të kujdesesh për të gjitha, për një fëmijë që shkon në çerdhe, për një tjetër fëmijë që shkon në shkollë apo një i rritur që merr shërbime nga Bashkia e Urës Vajgurore. Krahas investimeve në infrastrukturë që janë shumë të rëndësishme dhe një ndër prioritet kryesore, për herë të parë në qytet vendosa që të investohej edhe në art. Kur shikoj që ne sot kemi turistët e parë që kanë ndaluar në Urë Vajgurore për të fotografuar muralet që renditen si më të bukurat në botë, kjo padyshim është një ndër gjërat më të bukura që po i ndodh qytetit”, -është shprehur kryetarja e bashkisë.

Por, si lindi idea e këtij projekti? 

Memaj tha se bashkia që administron, e ka parë me prioritet shndërrimin e objekteve në vepra të vërteta arti dhe street art-in si ide gjeniale pë realizimin. Për këtë, është kontaktuar një prej artistëve të mëdhenj të street artit, i njohur ndërkombëtarisht.

“Bashkia e Urës Vajgurore e ka parë Street Art-in si një ide gjeniale, e cila i ka shndërruar objektet, kryesisht ato mbi të cilat nuk vihej dorë prej kohësh, si vepra të vërteta arti. Street-artistët, në bashkëpunim edhe me bashkitë dhe minibashkitë e ndryshme nëpër botë, kanë ndryshuar monotoninë e shumë ndërtesave dhe pallateve duke u dhënë ngjyra e forma objekteve të panumërta. Kemi kontaktuar me një prej artistëve të mëdhenj të street artit, i cili është i njohur në të gjithë botën dhe ka lënë gjurmën e tij në qytetin tonë, e cila më pas, krahas transformimit që ka pësuar kjo hapësirë urbane, do të jenë dhe burim atraksioni turistik për qytetarët nga brenda dhe jashtë vendit. Ndërveprimi që krijon përmes pikturës, fasadave dhe ambientit ku janë vendosur, do të sjellë një vëmendje të shtuar për këtë zonë.  WD (Wild Drawing) është njëri prej artistëve me të cilët Bashkia e Urës Vajgurore përmes kuratorit dhe artistit të njohur, Helidon Haliti, që ka kontaktuar për të marrë pjesë në aktivitetet në qytetin e Urës Vajgurore.

WD është lindur dhe rritur në Bali, Indonezi, ku ka studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura. Ai ka filluar jetën e tij artistike nga viti 2000 dhe që prej atëherë numëron dhjetëra punë në vende të ndryshme të botës dhe ka fituar disa çmime të rëndësishme në festivalet e organizuara për street art. Bashkia ka ftuar artistë të famshëm ndërkombëtar për të parë mundësitë e zhvillimit të disa pikturave në mur (Street Art). Këto ftesa janë mirëpritur nga artistët. Ky projekt bazohet në 3 koncept ide që është zhvilluar më tej grafikisht dhe teknikisht në përmasa reale dhe me imazhe që do t’i shërbejë sa më mirë qëllimit të këtij projekti. Për këtë arsye, është menduar që të ketë një përfaqësim të tre teknikave të ndryshme, iluzionit, 3D dhe reales duke shfrytëzuar vendin fizik.

Revista “Wild Walls”, në numrin e 169 të saj, në hartën botërore të muraleve me te mira, përzgjodhi qytezën e vogël të Urës Vajgurore, duke renditur këtë të fundit në krah të Kalifornisë, Austrisë, Norvegjisë, Masaçusets, Ilinoisit, Italisë dhe Bjellorusisë.

Tre muralet dhe mesazhet që jepen përmes tyre. 

Djaloshi i Dimalit, është i pikturuar në 3D në godinën në cilën ndodhet në Rrugën “Dimal” ku edhe ka një pozicionim të mirë të saj, dukshmëri nga të dyja anët e rrugëve dhe që mund të shikohet në të gjitha drejtimet dhe të japë të njëjtin efekt. Kjo në sajë të magjisë që forcon piktura në 3D dhe ku artisti është një prej mjeshtrave që e zotëron këtë teknike.

Dy të rinjtë (Flirtimi) janë pikturuar në një prej fasadave të pallatit te pedonalja e qytetit. Duke qenë se pedonalja e qytetit është një vend që po kthehet gjithmonë e më shumë si pozicion kryesor për mikpritjen e njerëzve që vijnë të vizitojnë Urën, por edhe vetë vendasit e përdorin atë si një vend rekreativ. Për këtë arsye, kërkohet t’i jepet jetë dhe ngjyra kësaj zone duke krijuar përmes ngjyrave një lojë reale.

“Vepra ‘Flirtimi’ është muralja e pikturuar nga WD (Wild Drawing) ku shihet një çift, te cilët vështrojnë njëri-tjetrin nga te dyja anët e pallatit, duke i dhënë jetë një iluzioni të bukur.

Një kompozim me urë (Ura e mendjes), që të ketë lidhje me krijimin e qytetit. Në këtë mënyrë do të mund të ofrojmë një mundësi për të pikturuar një magazinë të vjetër, apo një mur të vjetër të një ndërtesë dhe të krijojmë aty një pamje që të jetë një iluzion optik. Kjo do të jetë një tjetër koncept që do të pritet mirë nga komuniteti dhe do të zgjojë interesin e qytetarëve për ta parë nga afër, jo vetëm ato që banojnë në qytetin tonë, por edhe ato jashtë saj./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.