Diploarkiva/ 60 vjet në UNESCO, sfidat e pranimit të Shqipërisë në organizatë

TIRANË, 21 tetor/ATSH/ – Anëtarësimi i Shqipërisë në UNESCO më 16 tetor 1958, e ndihmoi Shqipërinë e atëhershme të luftonte analfabetizmin në përpjekje për të nxjerrë vendin nga një prapambetje e theksuar.

Kështu u shprehet ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, i cili ka publikuar sot tre dokumente që dëshmojnë për përpjekjet diplomatike për anëtarësimin e Shqipërisë në UNESCO.

“Por sot, vendi ynë është pjesë e politikave transformuese të UNESCO-s. Procesi i anëtarësimit në këtë organizatë zgjati për rreth 12 vite që nga shprehja zyrtarisht e dëshirës së shtetit shqiptar të kohës, në nëntor të 1946-ës”, thekson Bushati.

Bushati thotë se “UNESCO është një organizatë e specializuar e OKB-së e krijuar me 16 nëntor 1945. Shqipërisë iu desh një punë diplomatike të vazhdueshme, që nga viti 1946, kur paraqiti kërkesën e parë dhe vetëm pas pranimit si anëtare e OKB në dhjetor 1955, procedura e pranimit në UNESCO ishte më e thjeshtë”.

Shqipëria miratoi Konventën themeluese të organizatës, duke i hapur rrugën firmosjes së Konventës, e cila u bë nga përfaqësuesi i Shqipërisë në Paris, Dhimitër Lamani.

Në të njëjtën ditë u dorëzua dhe instrumenti i miratimit të Konventës së 16 nëntorit të 1945, tek Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s dhe kësisoj Shqipëria u bë anëtare më 16 tetor 1958.

“Kështu nisi edhe bashkëpunimi tashmë 60-vjeçar i Shqipërisë me këtë organizatë, me dritëhijet e veta, dhe sot është bërë palë e të gjitha konventave kryesore të UNESCO-s, ka marrë pjesë aktive në diskutimet mbi çështje madhore të agjendës së organizatës”, shprehet Bushati./k.s//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.