SHKUP – Komuniteti ndërkombëtar përshëndet miratimin e Marrëveshjes së Prespës

SHKUP, 20 tetor /ATSH-MIA/ – Komuniteti ndërkombëtar përshëndeti miratimin e Marrëveshjes së Prespës nga parlamenti i Maqedonisë, që i hap rrugën ndryshimeve kushtetuese për ndryshimin e emrit të vendit të vogël ballkanik në ”Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini dhe eurokomisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, përmes deklaratës së përbashkët, e kanë përshëndetur vendimin e parlamentit të Maqedonisë për qasjen drejt ndryshimeve të Kushtetutës në pajtim me Marrëveshjen e Prespës.

”Parlamenti ka bërë një hap shumë të rëndësishëm drejt zbatimit të Marrëveshjes së Prespës përmes votimit për fillimin e procedurës për ndryshime kushtetuese. Tani presim që procedurat kombëtare për zbatimin e marrëveshjes të vazhdojnë pa anulime, drejt miratimit të ndryshimeve kushtetuese”, thonë Mogherini dhe Hahn.

”Bashkimi Evropian fuqimisht e përkrah marrëveshjen historike të nënshkruar nga kryeministrat Zaev dhe Cipras në qershor. Nevojitet guxim politik, lideriship dhe përgjegjësi për zgjidhjen e njërit prej kontesteve më të vjetra në rajon”, theksojnë ata.

”Urime miku im Zoran Zaev! Votimi i mbrëmjes së sotme është një hap i madh përpara suksesit tonë të përbashkët. Një hap me të vërtetë i rëndësishëm për një të ardhme paqeje dhe shprese për popujt tanë”, thuhet në mesazhin që kryeministri grek, Aleksis Cipras i dërgoi homologut të tij maqedonas, Zaev.

Edhe qeveria greke e konsideron hap pozitiv dhe të madh shumicën e siguruar prej dy të tretave për ndryshimet kushtetuese. Zëdhënësi i qeverisë greke, Dimitris Xanakopulos, ministri alternativ i Punëve të Jashtme, Jorgos Katrugalos dhe ministri për Politikë Digjitale, Nikos Papas kanë dhënë konsideratat e tyre për këtë ngjarje.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg përshëndeti vendimin e parlamentit maqedonas për t’u qasur drejt ndryshimit të Kushtetutës në pajtim me Marrëveshjen e Prespës.

”E përshëndes votimin për ndryshimet e propozuara kushtetuese. Liderëve qeveritarë dhe politikë u mbetet t’i përfundojnë procedurat kombëtare për marrëveshjen për emrin dhe ta shfrytëzojnë këtë mundësi historike për ta çuar vendin në NATO”, shkruan Stoltenberg.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk ka përshëndetur miratimin e ndryshimeve kushtetuese duke porositur se Maqedonia është një hap më afër bashkësisë euroatlantike.

”Një votë, një hap i madh më afër marrjes së vendit që u takon në bashkësinë tonë transatlantike”, ka shkruar Tusk në Twitter, në gjuhën maqedonase./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.