Përmirësimi i banesave për shtresat në nevojë, përfitojnë 64 familje në Librazhd

TIRANË, 20 tetor /ATSH/ – Gjatë vitit 2018, bashkia e Librazhdit u ka ofruar shërbimin e bonusit të strehimit familjeve të pastreha, ku në bashkëpunim me ministrinë përkatëse u ka mundësuar familjeve të pastreha rimbursimim nga 50% deri në 70 % të vlerës së qirasë mujore.

Gjithashtu bashkia Librazhd ka qenë aplikuese dhe përfituese edhe e programit të përmirësimit dhe rikonstruksionit të banesave ekzistuese të komuniteteve të pafavorizuara.

Duke marrë në konsideratë vlerën e fondit të përfituar, Bashkia Librazhd renditet e treta nga 21 bashkitë që morën pjesë.

Programi i përmirësimit të banesave ekzistuese përfshin kryesisht rikonstruksion dhe ndërtim të çative, suvatime, shtrime pllakash, ndërrim të dyerve dhe dritareve.

Nga ky fond kanë përfituar 64 familje në bashkinë Librazhd, duke bërë të mundur që banesat e tyre të përmirësohen dhe periudha e dimrit të mos i gjejë të papërgatitur nga amortizimi i çative apo era që futet nga dyert dhe dritaret e vjetra.

Në krahasim me vitin 2017 fondi për përmirësimin e banesave të komuniteteve të pafavorizuara është 4-fishuar.

Ndërkohë po bëhet gati projekti që në vitin 2019 të ketë sërish një numër sa më të madh familjesh përfituese në nevojë. o/l/.j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.