Agro-përpunimi, eksportet u rritën me 18% në gjashtë muajt e fundit

TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi gjatë vizitës në një stabiliment të përpunimit të esencave dhe bimëve medicinale, një nga 15 kulturat e shportës të produkteve me potenciale më të larta për eksport, të evidentuara nga qeveria shqiptare, u shpreh se industria e agro-përpunimit është një sektorët me rezultatet më të mira për gjashtëmujorin e parë të 2018

Peleshi tha se në 6-mujorin e parë të këtij viti, eksportet e agro-përpunimit janë rritur me 18%. “Ne shikojmë një rritje të madhe pra, jo vetëm të bujqësisë, të eksportit të prodhimeve bujqësore, por me një ritëm akoma më të lartë të produkteve të përpunuara”, tha Peleshi.

Sipas shifrave zyrtare, eksporti i sherebelës shqiptare ka arritur të zotërojë pothuajse 70 % të tregut të Shteteve te Bashkuara te Amerikës, për këtë bimë.

“Bimët medicinale janë kampioni i kampionëve në eksportet shqiptare. Janë i vetmi artikull, ku në bilancin tregtar, jo vetëm që nuk e kemi negativ, siç është në përgjithësi bilanci tregtar shqiptar, por e kemi në raportin 1 me 33. Pra, eksportojmë 33 herë më shumë se sa importojmë. Ne kemi sot pothuajse 70% të tregut në SHBA për sherebelën”, tha ministri Peleshi.

Vizita e ministrit, në këtë stabiliment u bë në kuadër të promovimit të teknologjive dhe inovacioneve të ndërmarra nga investitorë të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj, në ngritjen e stabilimenteve agro-përpunuese, si nga prodhimi i energjisë së gjelbër, që në këtë rast realizohet nga mbetjet e bimëve medicinale, deri tek përpunimi i tyre me teknologji moderne. Ministri është shprehur gjithashtu që duke u nisur nga rezultatet pozitive të kultivimit të sherebelës dhe përpunimit të saj, ajo duhet të jetë përsëri në listën e subvencioneve të këtij viti në Skemën Kombëtare të Mbështetjes Financiare. Qeveria shqiptare ka vendosur që përmes mbështetjes nga fondet e saj dhe të programit IPARD, që do të fillojë shumë shpejt brenda këtij viti, do t’u japë prioritet investimeve në agropërpunim të bimëve medicinale dhe atyre bujqësore.

Stabilimenti ka arritur në një eksport të bimëve medicinale, por të esencave të tyre në rreth 3 milionë euro. /j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.