20 Tetori, Dita Botërore e Osteoporozës

TIRANE, 20 tetor /ATSH/ -Dita Botërore e Osteoporozës është organizuar për herë të parë në 20 tetor të vitit 1996 nga Shoqata Kombëtare e Osteoporozës në Mbretërinë e Bashkuar, me mbështetjen e Komisionit Europian. Dita Botërore e Osteoporozës është një fushatë sensibilizuese  mbarëbotërore, e cila ka si qëllim të rrisë informimin dhe ndërgjegjësimin për parandalimin, diagnozën e hershme dhe trajtimin e osteoporozës.

Osteoporoza është një sëmundje gjatë së cilës densiteti i kockës dhe cilësia e saj reduktohet gradualisht duke e bërë atë më të thyeshme. Humbja e masës kockore ndodh në mënyrë të heshtur dhe graduale, shpesh pa simptoma derisa ndodh fraktura e parë. Në shumë raste është ajo që evidenton osteoporozën, prandaj dhe është quajtur “epidemi e heshtur”.

Vlerësohet se mbi 200 milionë njerëz në mbarë botën janë prekur nga osteoporoza. Në mbarë botën, 1 në 3 gra dhe 1 në 5 meshkuj mbi moshën 50 vjeç pësojnë një thyerje kocke prej osteoporozës. Osteoporoza shkakton më tepër se 8.9 milionë fraktura në vit. Çdo tri sekonda ndodh një frakturë nga osteoporoza.

Osteoporoza prek si femrat ashtu edhe meshkujt. Keqkuptimi më i zakonshëm është se osteoporoza prek vetëm femrat. Është e vërtetë se gratë në menopauzë janë më të rrezikuara për osteoporozë, por ajo prek miliona meshkuj anembanë botës. Rreziku i frakturave te meshkujt është më i madh se rreziku i zhvillimit të kancerit të prostatës. Disa faktorë rreziku duket se shtojnë rrezikun për osteoporozë. Këta faktorë mund të jenë 1) të pandryshueshëm ose 2) të ndryshueshëm/të modifikueshëm

Faktorë të pandryshueshëm janë:mosha, gjinia (gratë, sidomos mbas menopauzës, janë më të rrezikuara), historia familjare (familjarë të afërt sidomos prindërit me osteoporozë paraqesin rrezik për osteoporozë), menopauza, hypogonadizmi te meshkujt, përdorimi për një kohë të gjatë i disa ilaçeve (kortizonikë, hormone të tiroides, antiepileptikë, citostatikë), artriti reumatoid si dhe disa sëmundje kronike (keqpërthithja, sëmundjet e mëlçisë, hyperthyroidismi, etj.).

Duke qenë se humbja e masës kockore gjatë osteoporozës ndodh gradualisht dhe është e padhimbshme, ajo nuk ka simptoma të dukshme që tregojnë se një person është duke zhvilluar osteoporozën. Për këtë arsye osteoporoza quhet “epidemi apo sëmundje e heshtur”. Megjithatë, disa shenja si dhimbja e lehtë, reduktimi i gjatësisë trupore me disa cm apo frakturat mund të jenë të lidhura me osteoporozën. Një pjesë e mirë e rasteve janë fare pa shenja dhe osteoporoza konstatohet rastësisht mbas kryerjes së një testi të matjes së densitetit kockor.

Pas moshës 20 vjeç, hollimi i kockave është një proces natyral që nuk mund të ndalet plotësisht, prandaj ndërgjegjësimi për osteoporozën duhet të fillojë që në moshë të re.

Mënyra më e mirë për të parandaluar dobësimin e kockave është fillimi i aktivitetit fizik dhe ushqyerja e shëndetshme që në fëmijëri, dhe ruajtja e këtyre zakoneve dhe në moshë të rritur.

Kryerja e ushtrimeve të rregullta fizike luan një rol të rëndësishëm në ndërtimin dhe mbajtjen e masës kockore. Ushtrimet janë individuale, por përgjithësisht shumica e njerëzve kanë nevojë për 30-40 minuta aktivitet fizik, 3 deri 4 herë në javë.

Sasia e kalciumit që duhet të marrim ndryshon në stade të ndryshme të jetës. Kërkesat për kalcium janë të larta në vitet e adoleshencës. Me kalimin e moshës aftësia e trupit për të përthithur kalcium ulet. Ushqimet e pasura me kalcium janë: qumështi e produktet e tij; perimet jeshile si brokoli, lakra jeshile; disa fruta si portokalli, kajsia, fiqtë e thatë; peshku i konservuar, sardelet; arrat, bajamet; drithërat; lëngjet e frutave, etj.

Vitamina D është gjithashtu esencilale për përthithjen e kalciumit. Ekspozimi për 15 minuta në ditë në diell i duarve, i krahëve dhe fytyrës, është zakonisht i mjaftueshëm për prodhimin e vitaminës D për shumicën e njerëzve. Vitamina D mund të sigurohet edhe nga ushqimet dhe suplementët. Ushqime të pasura me vitaminë D janë vaji i peshkut, veza, mëlçia, drithërat, etj.

Mospirja e duhanit, pirja e moderuar e alkoolit dhe mbajtja e peshës trupore brenda kufijve të normës, janë disa faktorë të rëndësishëm. Kafeina dhe kripa mund të rrisin humbjen e kalciumit nga trupi, prandaj nuk duhet të merren në sasi të tepërta. Megjithëse nuk ka të dhëna bindëse që tregojnë se pijet e gazuara joalkoolike dobësojnë kockat, nuk duhet tepruar me to.

Ndjekja e një stili të shëndetshëm jetese është pjesë e kujdesit për kocka të shëndetshme. /e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.