Tiranë, policia takime sensibilizuese me nxënësit kundër drogës

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ – Policia e Tiranës vijon takimet me nxënësit e shkollave të kryeqytetit për t’i sensibilizuar të rinjtë të qëndrojnë larg lëndëve narkotike.

Përgjatë ditës së sotme në kuadër të Policimit në Komunitet kanë vijuar takimet sensiblizuese kundër përdorimit të lëndëve narkotike apo substancave të tjera të rrezikshme nga nxënësit e shkollave.

Takimet janë zhvilluar në tre shkolla 9-vjeçare (“Ahmet Gashi”, “Edith Durham”, “Hillary Clinton”) dhe në tre shkolla të mesme (“Petro Nini”, “Qemal Stafa”, “Ibrahim Rugova”).

Përgjatë takimit nga ana e punonjësve të Policisë u dhanë leksione sensibilizuese në lidhje me kuptimin mbi drogërat dhe pasojat e rrezikshme që sjell për shëndetin përdorimi i tyre.

Në fund të takimit punonjësit e Policisë së bashku me nxënësit e shkollave shpërndanë në komunitet dhe në ambientet përreth shkollave broshura me mesazh sensibilizues. o/l/.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.