Seksioni detar i gazsjellësit, 37 kilometra në ujërat shqiptare

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Gjurma e gazsjellësit TAP tashmë do të nisë të shtrihet në det, në sfidën e radhës për projektin e rëndësishëm energjetik, përsa i përket teknologjisë dhe realizimit. Kryeministri Rama, ndërsa mori pjesë në nisjen e punimeve për këmbën detare të TAP, theksoi se projekti ka përfunduar tashmë në 80% të tij dhe sot nis faza tjetër, ajo e krijimit të lidhjes me anën tjetër, Italinë.

“Kjo lidhje detare ka një gjatësi prej 37 kilometrash në ujërat territoriale shqiptare dhe 25 kilometra në ujërat italiane, dhe rreth 43 km të tjera në ujëra ndërkombëtare”, nënvizoi Kryeministri, duke e cilësuar segmentin goxha sfidues. “Numri i anijeve që do përdoren për të realizuar këtë segment është mbresëlënës dhe shpresojmë që derisa të përfundojë, të jetë zgjidhur problemi i gjetjes së tubit në anën tjetër”, – vuri në dukje Kryeministri Rama.

Duke u nisur nga problemi në anën italiane, Kryeministri Rama shprehu edhe një herë kënaqësinë që projekti TAP nuk ka hasur në asnjë vështirësi, apo të papritur në tokën shqiptare.

“Në fillim kur sapo kishim marrë detyrën, përfaqësuesit e TAP shprehën shqetësimin se në Shqipëri mund të ndesheshin me surpriza që mund të pengonin projektin. Më vjen mirë që ta rikujtoj, që jo para shumë kohësh i njëjti grup shprehu befasimin, që në Shqipëri nuk kanë pasur asnjë problem”, – theksoi Rama.

“Në këtë aspekt shpresoj e uroj që të gjithë ata që kanë punuar me Shqipërinë, të kthehen në ambasadorë të vendit tonë e të përsërisin edhe gjetkë këto fjalë, që ndryshe nga sa raportohet prej disave, Shqipëria nuk është e vështirë për investimet e huaja, përkundrazi kur ka seriozitet e përkushtim, nga ana jonë jemi gjithnjë në gatishmëri”, – theksoi Kryeministri Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.