Punimet në Seman, gur kilometrik për përfundimin e TAP

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ – Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri e cilësoi si një gur tjetër kilometrik të rëndësishëm në përfundimin e projektit TAP, nisjen e punimeve në Seman të Fierit për ndërtimin e seksionit detar të Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP).

Ky projekt, tha Gjiknuri, “provon atë që kemi thënë me kohë që Shqipëria është një vend i sigurt për investimet e huaja. Prova është progresi që ka ndërtimi i këtij gazsjellësi, ku Shqipëria, përkundër dyshimeve apo dobësive që dukej në plan të parë, kur filloi ky projekt, provoi të kundërtën. Provoi që është një vend i sigurt për investime. Provoi që autoritetet shqiptare jo vetëm s’kanë qenë pengesë, por kanë qenë proaktive që punimet në këtë investimet të ecin më shpejt se në Greqi. Shpresoj që dhe në Itali të zgjidhet problemi dhe të vijojnë punimet. Aty ku mendohej që projekti do të ishte më i sigurt qëlloi më e vështirë. Shqipëria i sfidoi të gjithë në këtë drejtim”.

Ky projekt, theksoi Gjiknuri, “nuk solli vetëm përfitime direkte për investime dhe rritje të punësimeve, por krijoi mundësinë e lindjes së një industrie të re. Krijuam për herë të parë një kompani të përbashkët shqiptare dhe italiane që do të merren me mirëmbajtjen e tubacioneve të gazit. Dhe ky është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e gazifikimit në të ardhmen”.

Kjo, shtoi Gjiknuri, na ka dhënë mundësinë ti japim shpresë edhe një projekti të vdekur si HEC i Vlorës dhe shumë shpejt do të shpallim një garë ndërkombëtare për të ftuar investitorë të huaj për ta vënë në përdorim dhe për ta lidhur me gazsjellësin TAP.

Ministri po ashtu theksoi se “shumë kompani që kanë bashkëpunuar me projektin TAP, kanë fituar aftësi menaxhieriale të panjohura më parë. Këto kompani po marrin përsipër projekte me Partneritet Publik-Privat, të një shkalle që kompani shqiptare nuk ishin mësuar më parë. Kjo vjen fale standardeve të larta që ka imponuar TAP. Këto kompani kanë arritur të punojnë edhe për kompani të tjera të huaja. Këto janë disa nga benefitet e prekshme që nëse do të përshkallëzohen, do t’i japë të ardhme Shqipërisë si nga pikëpamja e sigurisë energjetike, por edhe për zhvillimin ekonomik”.

Kjo, shtoi ministri Gjiknuri, i jep përgjigje skeptikëve që thonë se me ikjen e TAP do të ulen investimet e huaja.

“Përkundrazi, jo vetëm TAP do të kontribupojë direkt si aktivitet ekonomik në Shqipëri, por janë biznese të tëra zinxhir që do ta bëjnë qarkullimin e parasë në Shqipëri progresiv në këtë drejtim”.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.