Puna sociale, sfidat e profesionit në Shqipëri

TIRANË, 19 tetor/ATSH/- “Arritjet dhe sfidat e profesionit të punës sociale në Shqipëri” ishte fokusi i konferencë së organizuar në mjediset e Bibliotekës së Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e hulumtimit, zhvillimit dhe promovimit të qasjeve të ndryshme të kërkimit akademik dhe shkencor, me qëllim ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve të punës sociale në Shqipëri, Europë dhe më gjerë.

Takimi është përshëndetur edhe nga kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, e cila vuri në dukje nevojën e bashkëpunimit të ngushtë të qeverisjes vendore me universitetet edhe në këtë sektor të rëndësishëm për plotësimin e nevojave me profesionistë të punës sociale në institucione publike por edhe në tregun e gjerë të punës.

Punimet e rreth 90 kërkuesve shkencorë u ndanë në tre seksione të ndryshme të klasifikuar sipas praktikës së punës sociale, politikave sociale dhe mirëqënies, edukimit dhe çështjeve psikologjike si dhe sfidat, standardet dhe perspektiva e re. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.