Program punësimi për komunitetin rom dhe egjiptian 

Mbi 360 romë e egjiptianë të punësuar në disa rrethe të vendit

TIRANË, 19 tetor /ATSH/- Mbi 360 persona romë dhe egjiptianë në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Berat janë punësuar deri më tani me asistencën e projektit “Fuqizim Ekonomik dhe Social i Romëve dhe Egjiptianëve”, (FESRE) të financuar nga Bashkimi Europian që zbatohet nga PNUD.

Qeveria shqiptare po adreson politika në rritjen e aftësive të punësimit dhe sipërmarrjes në të gjithë vendin duke vënë në qendër të vëmendjes mbështetjen edhe për komunitetin rom.

Qeveria shqiptare në bashkëpunim me projektin FESRE, ka identifikuar dhe regjistruar më shumë se 700 individë të papunë romë dhe egjiptianë, të cilët janë të gatshëm të fillojnë punë.

Ndërkohë që 72 romë dhe egjiptianë nga Shkodra, Tirana, Durrësi e Berati, të cilët shprehën interes për programin e gjenerimit të të ardhurave janë trajnuar mbi menaxhimin e aktivitetit në biznes dhe përmes 39 skemave më të spikatura po mbështeten nga FESRE për të nisur apo zgjeruar një aktivitet privat.

Pranë një mobilerie të njohur në Tiranë janë punësuar 3 persona të komunitetit rom, nëpërmjet skemës së formimit në punë. Të tre personave u është ofruar mundësia të përvetësojnë aftësitë e nevojshme për punën specifike në një periudhë 6-mujore, të mbështetur financiarisht nga projekti dhe janë raste suksesi ku mbështetja e projektit ka patur një ndikim afatgjatë, duke siguruar punësimin e tyre nga kjo kompani përgjatë periudhës në vijim.

Valbona Qafa, nënë e tre fëmijëve, pa shkollë, e ka patur shumë të vështirë të gjente një punë që t’i siguronte të ardhura të rregullta. Më parë, e siguronte jetesën nga shitja e rrobave të përdorura dhe ndihma ekonomike. Pas më shumë se një viti punë në një mobileri, tashmë është plotësisht e sigurt në njohuritë dhe aftësitë e saj në punën e saj. Me pak muaj trajnim ajo ka arritur të bëjë smerilim, lyerje që janë procese që kërkojnë aftësi profesionale dhe ia ka dalë t’i bëjë me saktësi dhe korrektësi këto procese.

Ndërsa Fatma Jashari, 25 vjeçe, nënë e 2 fëmijëve në pritje të të tretit, ka jetuar me ndihmë ekonomike dhe gjithmonë ka qenë në kërkim të një pune të rregullt, por nuk ka mundur të gjejë një të tillë. U intervistua, u rekomundua në biznes nga projekti dhe pasi kaloi me sukses periudhën 10-mujore të mbështetjes nga projekti, tashmë është e kontraktuar nga kompania.

Një shembull suksesi në punësim është edhe Mariana Molla. Ajo vjen nga komuniteti rom dhe është identifikuar nga mediatorët e punësimit dhe stafi lokal i projektit FESRE në takime me komunitetin si person në kërkim të një pune.

Me arsim 8-vjecar e pa zanat, Mariana nuk ka mundur të sigurojë punë të rregullt. Në kompaninë “Shaga” ka nisur punë në fillim të vitit 2017 dhe pasi kaloi me sukses periudhën 6-mujore të mbështetjes nga projekti duke vlerësuar korrektesën dhe dëshirën për punë iu ofrua një kontratë pune në një kompani mobilerie.

Ndërsa një biznes parukerie është mbështetur e financuar në kuadrin e programit të gjenerimit të të ardhurave, duke kontribuar në angazhimin në punë të pjesëtarëve të një familje.

Isuf Hasani është një nga 39 bizneset e mbështetura me grant nga projekti FESRE për të hapur berberhanen e tij, që është një aktivitet familjar bashkë me të atin, Bashkimin, nga i cili ka trashëguar profesionin. Bashkimi është ndër berberët e parë të Pazarit të Shkodrës dhe duke ushtruar këtë profesion ka siguruar jetesën e familjes së tij.

5 vjet më parë ai nisi aktivitetin e tij, por me kushte të pamjaftueshme për ta ushtuar, për shkak të pamundësisë financiare. Mbështetja e projektit FESRE nëpërmjet grantit i dha një mundësi Bashkimit dhe Isufit të kenë një biznes të kompletuar, me të gjitha mjetet profesionale.

Qeveria në bashkëpunim me PNUD po nxit zbatimin e projekteve që zgjerojnë angazhimin në punësim dhe veçanërisht të komunitetit rom dhe egjiptian, si dhe të shtresave në nevojë. e.xh/  /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.