Operacioni në Has, Rama: Provë e qartë force në betejën kundër krimit

TIRANË, 19 tetor/ATSH/ – Operacioni i ditës së sotme në Has, ku u zbulua nga Policia e Shtetit një laborator i përpunimit të drogave ka sjellë dhe reagimin e Kryeministrit Edi Rama.

Kreu i qeverisë, u është përgjigjur akuzave të opozitës, duke e cilësuar operacionin si një provë të qartë force të shtetit kundër krimit të organizuar.

“Në gjithë botën normale operacionet kundër krimit e drogës quhen sukses, në gjuhën e dëshpërimit opozitar ato quhen faje të qeverisë. Operacioni i sotëm është një tjetër provë e qartë force e shtetit kundër krimit, në vazhdën e një beteje që do të vijojë pa kompromis#DerinëFund”, shkruan Kryeministri.

Shkatërrimi i laboratorit është bërë nga ndërhyrja e forcave RENEA dhe FNSH, mëngjesin e së premtes, duke vendosur në pranga 5 persona.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.