Mbyllja e basteve, frenon riciklimin e parave të krimit të organizuar

TIRANË, 19 tetor/ATSH/ – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “me mbylljen e pikave të basteve do të mbyllet një kanal riciklimi i parasë së krimit të organizuar”.

I ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” të gazetarit Arian Çani, Kryeministri Rama tha se “ka një numër të madh fëmijësh, ka një numër të madh adoleshentësh që luajnë. Por nga ana tjetër është një industri që financohet në një masë të madhe nga krimi i organizuar dhe riciklon para të krimit të organizuar dhe besoj se do të jetë një çlirim i madh për njerëzit dhe familjet”.

“Janë rreth 700 milionë euro, që hidhen në një vit hidhen në lumë janë para që dalin nga arka e familjes dhe shkojnë për këtë marrëzi, ndërkohë që do të hyjnë në konsumin e shëndetshëm të çdo familje”, – nënvizoi Rama.

Kryeministri u shpreh se “para disa kohësh kur ne nisëm këtë përpjekje, është bërë një studim për këtë dhe ka disa shifra të frikshme, ku 68% e lojtarëve që luajnë e nisën këtë në moshën 10-15 vjeç, është një tregues në vetvete katastrofik. Më shumë se 70% e lojtarëve pranojnë që kanë probleme stresi dhe nervozizmi gjithnjë e më në rritje. Një lojtar në katër i ka shkuar në mendje të vrasë mendjen”.

“Këtë studim e ka bërë Universiteti i Tiranës në 2016, për të parë afrimitetin e të dhënave tona si vend se ishte koha kur filluam betejën për t’i mbyllur”, – shtoi ai.

Kjo, vijoi Rama, është arsyeja pse Franca ka ndaluar me ligj çdo sallon bastesh në rrugë dhe hapja e një salloni bastesh të çon në Francë në burg tre vjet.

Gjithashtu Kryeministri tha se kjo është një nga arsyet pse Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka sanksionuar me vendimin e vet që qeveritë kombëtare lejohen ta kufizojnë tregun e lojërave të fatit për interesin publik dhe mbrojtjen e konsumatorit.

Duke folur se çfarë do të bëhet me personat që do të dalin të papunë nga mbyllja e pikave të basteve, Rama tha se “5% tatim fitimi deri në 140 milionë xhiro është një masë që ata që kanë investuar në pika bastesh, të mendojnë transformimin e pikës së tyre në një biznes të shëndetshëm dhe fitimprurës, me taksën vetëm 5%”.

“Sigurisht nuk është e lehtë, do të ketë dhimbjen e vet, por është e shëndetshme, shëron familjen, prindërit”, – tha Rama./k.s//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.