Kryetari i bashkisë së Wismarit, vizitë zyrtare në Pogradec

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ – Kryetari i bashkisë së Wismarit (qytet-port në veri të Gjermanisë), Thomas Beyer️ po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në qytetin e Pogradecit. Thomas Beyer erdhi në qytetin e Pogradecit pas ftesës së homologut të tij kryetarit të bashkisë Pogradec, Eduart Kapri.

Të dy kryebashkiakët vizituan studion e piktorit pogradecar Anastas Konstandini. Gjithashtu u ndalën dhe tek fototeka “Misto Cici”. Vizita vazhdoi me destinacion Drilonin, nga ku Thomas Beyer u mahnit me bregun e liqenit, por edhe me peizazhin e vjeshtës të Drilonit. Vizitën kryetarët e mbyllën në Tushemisht, ku vizituan shtëpi të ndryshme që tregtojnë objekte me peizazhe të Pogradecit.

Thomas Beyer u shpreh se “turistët që vizitojnë këtë qytet mbeten të mahnitur nga uji kristal, ngjyrat që e rrethojnë atë dhe peshqit e shumëllojshëm që gjenden në liqen.
Bukuria e liqenit të Ohrit nuk është vetëm piktoreske, por e ka shndërruar qytetin e Pogradecit në një destinacion të preferuar të turistëve, që vijnë nga gjithë vendet e botës vetëm për të vizituar liqenin e Ohrit”./m.z/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.