Haradinaj merr pjesë në Kongresin e Parë Ndërkombëtar të Fizioterapisë

PRISHTINË, 19 tetor /ATSH/ – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në Kongresin e Parë Ndërkombëtar të Fizioterapisë në Kosovë.

Me këtë rast, Kryeministrit Haradinaj tha se “po bëhet luftë për pacientin dhe atë e bëjnë të gjithë që kanë përgjegjësi, por detyrat i kanë të ndara, por në fund rezultati varet nga ata që janë ballë për ballë me pacientin”.

“Përmbyllja e fazës së shërimit, në shumë raste, e kërkon jo vetëm pjesën tuaj, por edhe një kulturë për atë se çka nënkupton pjesa juaj e punës”, tha Kryeministri Haradinaj, duke shtuar se kultura është te pacienti, por edhe te profesionistët.

Gjithashtu tha se, pavarësisht se është rritur buxheti për shëndetësinë, është hartuar projektligji për pagat, i cili ka trajtuar me një respekt të posaçëm mjekët dhe personelin mjekësor, prapëseprapë ka shumë punë për t’u bërë për një vetëdijesim të të gjithëve.

“Në emër të Qeverisë së vendit, duke iu uruar punime të suksesshme këtij Kongresi Ndërkombëtar, të parin në Prishtinë, ju ftoj të rrugëtojmë bashkë për të mirën e pacientit dhe shëndetësisë në Kosovë”, tha Haradinaj.

Ndërkaq Bekim Haxhiu, kryetar i Kongresit, tha se kemi punë për të bërë dhe se në bashkëpunim me Qeverinë dhe mbështetësit e tjerë, ne duhet ta ngremë edhe më lart fizioterapinë në Kosovë.

“Puna e fizoterapistëve duhet të vlerësohet në vendin tonë. Ata duhet të jenë krenarë me punën e tyre. Ne ishim të parët në rajon që në Fakultetin e Mjekësisë filluam me programin e fizioterapisë. Ne për këtë fakt duhet edhe t’i ruajmë fizioterapistët që janë në Kosovë”, tha kryetari Haxhiu. /KosovaPress//e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.