Deputeti Boçi reagon për dorëheqjen e zv/ministrit Demo

151

TIRANË, 19 tetor/ATSH/ – Partia Demokratike e cilësoi dorëheqjen e zëvendësministrit të Arsimit, Ervin Demo, pa kërkuar as ndjesë publike për vjedhjen e punës intelektuale të dikujt tjetër, si simbol të degradimit total të qeverisë dhe partisë që ai përfaqëson.

Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi në një konferencë për shtyp theksoi se “përbetimi për besnikëri ndaj Edi Ramës, në vend të ndjesës ndaj shoqërisë, tregon se vjedhja dhe mashtrimi mbrohen, nuk ndëshkohen”.

“Është e papranueshme heshtja e Ministrisë së Arsimit, e cila, në vend që ta kishte shkarkuar që në fillim, mjaftohet me përbetimin se Ervin Demo do të punojë me besnikëri për partinë dhe shokun Edi Rama. Është po kaq e papranueshme që Kryetarja e PS të Tiranës, Blerina Gjylameti, vazhdon të mbajë mandatin e deputetit”, – nënvizoi Boçi.

Boçi u shpreh se “është koha të ndalim së bashku grabitësit e votave, grabitësit e tenderave, grabitësit e artikujve shkencorë, grabitësit e së ardhmes sonë”./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.