“Chagall: Graviteti Magjik”, ekspozitë mbresëlënëse e 180 kryeveprave

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/258106978394414/

TIRANË, 19 tetor/ATSH/- Më shumë se 180 gravura dhe grafika të një prej artistëve më të mëdhenj të shekullit XX, Marc Chagall u ekspozuan për herë të parë sot për artdashësit kryeqytetas në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri.

Në ceremoninë e çeljes së ekspozitës së titulluar “Chagall: Graviteti Magjik”, ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi atë frymëzuese dhe mbresëlënëse.

“Është mjaft frymëzuese dhe në të njëjtën kohë, mendoj mbresëlënëse, që të kemi këtë koleksion të këtyre kryeveprave në Tiranë, në Shqipëri”, – theksoi Rama.

Kryeministri u shpreh se “dikur Chagall tha ‘ngjyrat janë miqtë e të afërmve dhe ata që duan të kundërtat’, diçka që mund ta themi për artin, por jo lehtësisht për politikën. Nuk e themi dot aspak lehtësisht për politikën shqiptare”.

Kjo, vijoi ai, është arsyeja e dytë pse pranova të flas, sepse zakonisht nuk pranoj të flas në të tilla raste duke qenë artist.

“Artistët thonë po ç’dreq do, ai është politikan, ndërkohë që politikanët thonë ai është artist i dështuar, kështu që është më mirë të shmang të flas”, – tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “ekspozita do të jetë e hapur për një vizitë të plotë për të gjithë ata që do të duan ta vizitojnë. Do të jetë e hapur në 7 ditë të javës”.

Për ta përmbyllur, shtoi ai, do të doja t’iu kujtoja se edhe për Chagallin nuk ishte e lehtë, se ishte e vështirë ta donin edhe pse i kushtoi jetën dashurisë dhe besonte fort se dashuria është thelbi i harmonisë në art dhe kudo.

Kryeministri tha se “dhe ne besojmë po ashtu si Chagall që dashuria për Europën na shpëto,i edhe pse shihemi si kandidatë të mundshëm, por jo gati për të hyrë në martesë. Por, ne do të këmbëngulim dhe në fund dashuria do të mbizotërojë”.

Në fund të fjalës së tij pasi falënderoi kuratorët e ekspozitës, Rama tha se “Picasso thoshte për Chagall: ‘Ai mund të ketë një engjëll në kokë’, sepse nuk ka shpjegim tjetër për ngjyrat që gjen. Chagall u përgjigj: ‘Picasso është gjeni sa keqardhje që nuk pikturon'”.

Ndërsa kuratori i ekspozitës Vladimir Myrtezaj duke falënderuar Kryeministrin Rama për mbështetjen për hapjen e kësaj ekspozite theksoi se “emri i Chagall përfaqëson një tjetër epokë që e distancuar nga koha jonë mund ta quajmë si epoka e një sindrome entuziazmi të modernitetit intensiv. Qenia e artistit ishte e lidhur me portret emancipues duke kërkuar aleanca sidomos me dijen, një dije që kishte si qëllim të epërm njohjen ndaj vetvetes”.

Marc Chagall (1887-1985) është një nga artistët më të mëdhenj të shekullit të XX. Ekspozita Chagall: Graviteti Magjik sjell në COD më shumë se 180 gravura dhe grafika për herë të parë në Shqipëri me një përzgjedhje grafike nga tre ciklet e tij më të njohura ilustrative për libra: “Shpirtra të Vdekur’ të Gogol, ‘Stuhia’ të Shekspirit dhe ‘Fabulat’ e La Fontenit.

Marc Chagall ishte një eksperimentues gjenial dhe eklektik. Në më shumë se shtatëdhjetë vjet aktivitet si artist, mjeshtri e shprehu veten përmes çdo mediumi në dispozicion të tij: nga piktura, grafika, qeramika dhe vizatimi, deri tek vetrazhi (pikturë në xham), mozaiku, endja në tezgjah, skulptura monumentale dhe skenografia. Ai krijoi një univers në të cilin figurat njerëzore, kafshët dhe skena të marra nga traditat hebraike jetojnë krah për krah me referenca biblike dhe fetare.

Është e vërtetë se Chagall e shprehu botën e tij të brendshme përmes pikturës dhe ngjyrës, por është gjithashtu e vërtetë se grafika ishte shumë afër zemrës së mjeshtrit ruso – francez. Pllakat e tij të gravurës ngjajnë si pyje shenjash, mbushur plot me gdhendjet tronditëse të artistit dhe të ngjashme me punën e Rembrandt-it dhe Goja-s.

Gravurat e tij (në këtë ekspozitë cilësisht litografi dhe akuaforte) të mahnisin, duke demonstruar aftësinë e tij gjeniale për të balancuar vlera të ndryshme tonale; ato shfaqin aftësitë e tij të jashtëzakonshme në raportet mes të bardhës dhe të zezës, si dhe na zbulojnë dorën e tij unike, kaq delikate dhe të dallueshme në ‘gjestet’ dhe ‘prekjet’ e veçanta dhe intime.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datën 12 janar 2019 dhe mund të vizitohet në COD nga e hëna në të shtunë, nga data 20 tetor e në vazhdim. /k.s//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.