Buffon: Topin e Artë e meriton 19-vjeçari Kylian Mbappe

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ – Gianluigi Buffon, portieri i “PSG”, zgjedh kandidatin e tij për ”Topin Artë”, që nuk është Messi, e as Ronaldo.

Portieri i “Paris Saint Germain” voton për shokun e tij të skuadrës dhe njëkohësisht një prej talenteve më të mëdha që ka prodhuar futbolli francez në dekadat e fundit.

“Topi i Artë duhet të shkojë për Kylian Mbappe. Duke parë cilësitë e tij, por edhe për atë çfarë tregon në fushë dhe sa deciziv ishte në fitimin e Kupës së Botës nga Franca, them që e meriton Topin e Artë. Mbappe është një fenomen dhe nëse do të dëshirojë të jetë më i mirë, mendoj që do ketë një karrierë të gjatë dhe shumë të suksesshme”, tha Buffon.

Kylian Mbappe është vetëm 19 vjeç. Mbappe përfundoi sezonin 2016-17 të Ligue 1 me 26 gola në 44 ndeshje. Në korrik të 2018 u shpall kampion bote me Francën. Ai u bë adoleshenti i dytë, pas Pele, që shënoi në një finale të Kupës së Botës dhe me katër gola në turne ai mori çmimin “Lojtari i Ri më i Mirë i Kampionatit Botëror”. o/l/./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.