“Ambël e Thartë” turneu muzikor i Shpat Dedës në Apoloni

TIRANË, 19 tetor/ATSH/ – Qyteti i Fierit këtë fundjavë do të jetë ndalesa e turneut muzikor “Ambël e Thartë”, e këngëtarit Shpat Deda.

Koncerti i këngëtarit kosovar do të jetë të dielën në Manastirin e Shën Mërisë (Salla e Trapezarisë), në qytetin antik të Apolonisë.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi, shprehet se “e kush mund të promovojë më mirë se artistët dhe arti vlerat kombëtare edhe pse të njohura botërisht?! Jam i sigurt se kjo e dielë do të na orientojë të gjithë drejt Parkut Arkeologjik Kombëtar, Apolonia për të shijuar një koncert të veçantë dhe të bukur të artistit të mirënjohur, Shpat Deda”.

Shpati është ndër këngëtarët më të dashur dhe më të pëlqyer në Kosovë. Me zërin e tij karakteristik dhe paraqitjen skenike, ka bërë që muzika e tij të pëlqehet.

Në turneun muzikor në kuadër të 10-vjetorit të nisjes së karrierës së tij, Deda do të këndojë këngë nga dy albumet “Molla e parë” dhe “Shkëndijë”.

Pas Tiranës dhe Fierit, Shpat Deda me turneun e tij muzikor “Ambël e Thartë”, do të shkojë në Korçë, Gjirokastër, Durrës etj./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.