“Vllaznia” ndaj “Erzenit” për vazhdimësi, Liga: Kemi mungesa, por duam fitore

78

TIRANË, 18 tetor/ATSH- A. Fortuzi/- “Vllaznia” kërkon të vijoi rrugën drejt kategorisë superiore pa ndalesa. Kuqe blutë shkodranë tashmë përballë do të kenë “Erzenin”, ndaj së cilës “Vllaznia” do të kërkojë të ruaj trendin pozitiv të fitoreve, duke qenë se deri më tani ka pikë të plota.

Trajneri i shkodranëve, Hasan Lika ka dhënë një prononcim për mediat, ku është shprehur:

“Ne stërvitemi që çdo ndeshje ta kalojmë me sukses. Ditët e fundit kemi pasur rikuperime të disa lojtarëve, që kishin probleme me dëmtimet, por nuk do të kemi me shumë gjasa për lojë Gilman Likën dhe Bardullën në mesfushë. Luajmë një ndeshje delikate, pasi përballë do të kemi Erzenin, që e ka nisur garën si pretendent, sepse ka kualitete në gjirin e vet”.

“Mund të them se lojtarët kanë dhënë më të mirën e tyre në stërvitje gjatë këtyre ditëve dhe e kanë vlerësuar shumë këtë përballje. Unë kam besim se do të marrim fitoren e radhës. Sa i takon sulmuesit nigerian, që është bashkuar së fundi me skuadrën, dua të them se ai është bërë pjesë e jona që në gusht, por për shkak të problemeve me dokumentacionin, nuk e kemi pasur në gjirin tonë në këto javët e para. Unë kam besim se do të na shërbejë shumë si lojtar”, tha Lika. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.