Rekordmeni i atletikës Sadik Demiraj, “Mjeshtër i Madh” pas vdekjes

165

TIRANË, 18 tetor /ATSH/ – Presidenti Meta vlerësoi rekordmenin e atletikës Sadik Demiraj (pas vdekjes) me titullin “Mjeshtër i Madh”, për kontributin e njohur shumëvjeçar si atlet kampion dhe rekordmen në vite; për rolin e tij si studiues e drejtues i sportit shqiptar, si dhe për përfaqësimin dinjitoz të sportit në arenën ndërkombëtare.

Gjatë një ceremonie solemne, ku ishin të pranishëm familjarë, kolegë dhe anëtarë të Shoqatës Kombëtare “Skënderbegasi”, presidenti i Republikës, Ilir Meta vuri në dukje se, “shembulli i jetës, veprimtarisë dhe rezultateve të Sadik Demirajt, të cilin sot nuk e kemi midis nesh, ka qenë dhe mbetet një shembull sportiv, sidomos për të rinjtë e sotëm dhe atletët e së ardhmes.

Ai ishte një nga atletët më të shquar të sportit shqiptar si dhe një nga pionierët e rekordmenët më të njohur në Shqipëri. Sadik Demiraj mbetet një specialist i fushës së atletikës, i cili gjatë gjithë jetës iu përkushtua këtij sporti të bukur, i palodhur dhe i papërtuar, duke ndihmuar edhe në organizimin e aktiviteteve të veteranëve të atletikës.
Sadik Demiraj ka dalë 14 vjet Kampion Kombëtar, ka shënuar 16 rekorde kombëtare në garat e ecjes sportive dhe vazhdon të mbajë rekordin kombëtar në garat 30km dhe 50km ecje sportive.

Falë punës së palodhur dhe përkushtimit, Sadik Demiraj arriti të jetë në librin e artë të atletikës tonë, duke shkëlqyer në shumë gara kombëtare e ndërkombëtare.
Dëshiroj të theksoj se sporti dhe veçanërisht atletika, me atë çka ajo na ofron është një aktivitet i shëndetshëm, që duhet ta ushtrojmë të gjithë.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.