Orikum, zbulohet Fishkëllyesi i Murrmë, një specie e rrallë

TIRANË, 18 tetor/ATSH/- Një specie e rralllë e quajtur Fishkëllyesi i Murrmë (Phylloscopus fuscatus), u zbulua ditët e fundit në lagunën e Orikumit.

Studiuesit e huaj hungarezë nga MME – Magyar Madártani Egyesület dhe shqiptarë nga Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS) zbuluan praninë e Fishkëllyesit të murrmë (Phylloscopus fuscatus), një shpend i vogël me peshë 8.2 gr., me gjatësi krahësh 5.4 cm, gjatësi bishti 4.3 cm dhe gjatësi mesatare bisht-kokë 11-12 cm.

Fishkëllyesi i Murrmë është specie e re për vendin tonë dhe e pa vrojtuar asnjëherë më parë.

Ai është mjaft i rrallë në Europë dhe konsiderohet si endacak. Specia është e përhapur kryesisht në Azi dhe pika më e afërt me Shqipërinë janë Himalajet ose kufiri Indi-Pakistan-Nepal siç shihet edhe në hartën e shpërndarjes.

Fishkëllyesi i Murrmë folezon në Azinë juglindorë dhe pikërisht në Kinë, Mongoli, Siberi etj. Është kryesisht insekt-ngrënës dhe shtegtar tipik. Pas sezonit të folezimit zbret në Indi, Malajzi, Vietnam, Bangladesh, Kinën jugore etj.

Identifikimi në natyrë i Fishkëllyesit të murrmë është mjaft i vështirë për shkak të ngjashmërisë së lartë me fishkëllyes të tjerë dhe sidomos me Fishkëllyesin e vogël (Phylloscopus collybita). Por, shpina tek Fishkëllyesi i murrmë është më e errët dhe në ngjyrë gështenjë. Po kështu këmbët e të murrmit janë në ngjyrë të hapur.

Agjencia Rajonale e Zonave të Mbrojtura Vlorë bën të ditur se “ky zbulim i jashtëzakonshëm përforcon edhe më tepër idenë se pse Laguna e Orikumit duhet të jetë pjesë e rrjetit të Zonave të Mbrojtura në Shqipëri dhe rrjetit të zonave të mbrojtura Natutra 2000”.

“Pafundësisht krenarë për këto vlera të jashtëzakonshme natyrore dhe një falenderim të madh për AOS-Albanian Ornithological Society që ka në vëmendje të vazhdueshme këto zona dhe që mbështet vazhdimisht administratën tonë në procesin e inventarizimit të shpendëve shtegtarë”, thekson ADZM, Vlorë.

Laguna e Orikumit, kallamishtet dhe zona përreth saj është një vendqëndrim shumë i veçantë për shpendët në rrugën e gjatë të shtegtimit. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.