FOTO/ Talente nga gjithë globi në qytetin turistik të Beratit

TIRANË,18 tetor /ATSH/ – Mbrëmja e djeshme në qytetin turistik të Beratit kulmoi me spektaklin “MISS TALENT SHOW” nga Miss Globe 2018, mundësuar nga Deliart Association dhe Bashkia e Beratit në mjediset e Qendrës Kulturore “Margarita Tutulani”.

Vajza nga shtete të ndryshme të botës prezantuan përmes bukurisë traditat dhe kulturën e vendeve të tyre. Gjatë këtij spektakli bukuroshet pjesëmarrëse shfaqën disa nga talentet dhe aftësitë e tyre më të mira, për të cilat u vlerësuan nga juria e përbërë nga shqiptarë dhe të huaj.

Çdo performancë u vlerësua nga 1 deri në 5 pikë, ku 5 vajzat që u renditën me pikë maksimale ishin: 1. Miss Brazili, 2. Miss Meksika, 3. Miss Franca, 4. Miss Kina, dhe 5. Miss Bjellorusia, të cilat do të vazhdojnë konkurrimin më tej në natën finale. Artdashësit beratas duartrokitën interpretimet e miseve dhe këngëtarët e ftuar në këtë spektakël, Mariza Ikonomi dhe Devis Xherahu.

Në fjalën e saj Nënkryetarja e Bashkisë, Afize Skëndo, u shpreh se aktivitete të tilla i shtojnë edhe më tepër ngjyrat dhe bukurinë këtij qyteti, duke përcjellë mesazhe paqeje dhe harmonie përmes bashkimit të kombeve në mbarë botën./a.a/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.