Ekonomia u konsolidua, investimet u rritën 6.5%

TIRANË, 18 tetor/ATSH/ – Edhe pse gjatë vitit 2017 sektori i energjisë pati një rënie drastike, kjo nuk ndikoi në ekonomi pasi investimet u rritën me 6.5%, ku sektorë si bujqësia, tregtia apo ndërtimi gjeneruan rritje ekonomike në vlerën e 3.84%.

Kështu u shpreh ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj gjatë seancës plenare të së enjtes. Ai tha se edhe pse energjia pati rënie drastike për shkak të motit të thatë, investimet në sektorë të tjerë ndikuan në zhvillimin ekonomik.

“Investimet u rritën me 6.5% ndërkohë që sa i përket ofertës agregate, përveç prodhimit të energjisë elektrike, i cili gjatë vitit 2017 pati një rënie drastike si rrjedhojë e një moti të thatë, sektorët e tjerë të ekonomisë performuan me rritje pozitive. Rritja ekonomike është konsoliduar”, – tha Ahmetaj.

Më tej, ministri sqaroi se rritja ekonomike tregoi se ka mjaft sektorë të tjerë prioritarë që ndikuan në gjenerimin e rritjes ekonomike në masën e 3.84%.

“Ka analistë, profesionistë apo jo, që i referohen rritjes ekonomike, sikur sektori energjetik është i vetmi sektor që gjeneron rritje. 2017 ishte një fakt që vërtetoi të kundërtën. Sektori energjetik është një nga sektorët më të rëndësishëm dhe prioritarë, por dikush thotë që ekonomia e Shqipërisë varet nga moti. 2017 tregoi se shërbimet, tregtia, ndërtimi, bujqësia kontribuan rëndësishëm në rritjen ekonomike. Dhe megjithëse prodhimi i energjisë ra 46%, gati-gati rekord, ekonomia gjeneroi rritje me 3.84%”, – përfundoi ai.

z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.