Arbitrat shqiptarë do të gjykojnë për herë të parë në Ligën e Europës

149

TIRANË, 17 tetor /ATSH/ – Për herë të parë arbitrat shqiptarë do të gjykojnë një ndeshje të fazës së grupeve të Europa Ligës. Arbitrat shqiptarë do të udhëtojnë drejt Qipros, për përballjen e së enjtes që do të luhet në stadiumin “GSP Nikosia”, ku AEK Larnaka do të sfidojë skuadrën e Ludogorets. Kjo është hera e parë që një trupë arbitrash shqiptarë ngjitet në këtë nivel të futbollit europian.

Arbitri kryesor në këtë takim do të jetë ndërkombëtari Enea Jorgji. Më tej, ndihmësit e tij të parë do të jenë Denis Rexha dhe Rejdi Avdo. Arbitër i katërt do të jetë Ridiger Çokaj. Në ndeshjet e Europa Ligës ka edhe gjyqtarë të linjës dhe për këtë takim janë caktuar Juxhin Xhaja dhe Kridenc Meta. Ndeshja mes AEK Larnaka dhe Ludogorets do të luhet të enjten në orën 18:55, ndeshje e vlefshme për Grupin A. o/l/.j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.