351 mijë qytetarë përfituan nga kontrolli shëndetësor falas

TIRANË, 18 tetor/ATSH/- Në 9 mujorin e parë të këtij vitit 351 mijë qytetarë kanë përfituar nga kontrolli shëndetësor falas.

Kështu theksoi sot ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës së saj në Kuvend, ku foli për mbështetjen e programeve të rëndësishme për shëndetin e popullatës.

“Programi i kontrollit mjekësor bazë i cili garanton për çdo qytetar nga mosha 35-70, të siguruar apo jo një herë vit të kryejë falas kontrollin mjekësor bazë. Një kontroll që vlerëson situatën shëndetësore të çdo individi, çdo moshe duke kryer kontrollin dhe një set prej 51 analiza mjekësore, të cilat vlerësojnë nga pikëpamja shëndetësore riskun për sëmundje kronike apo edhe tumorale”, nënvizoi Manastirliu.

Sipas saj , një procedurë e kontrollit bazë më parë kushtonte 81 mijë lekë dhe pothuaj askush e nuk e kryente kontrollin në mënyrë rutinore.

“Ndërkohë që vetëm në 9 mujorin e parë të këtij vitit 351 mijë qytetarë kanë përfituar kontrolli shëndetësor falas duke parandaluar zhvillimin e sëmundjeve kronike ose duke kuruar sëmundjet në dobi të shëndetit të tyre dhe padyshim janë të gjithë këta qytetarë”, shtoi ajo .

Manastirliu tha se “janë pikërisht këta qytetarë që nuk ishin në dijeni të sëmundjeve që kishin dhe sot trajtohen nëpërmjet mjekëve specialistë apo janë duke parandaluar sëmundjet që u janë evidentuar”./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.