2017 me qëndrueshmëri të financave publike

TIRANË, 18 tetor/ATSH/ – Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj e cilësoi vitin 2017 një vit specifik që lidhet me qëndrueshmërinë e financave publike, kjo falë ndryshimeve fiskale që u bënë në ligjin organik.

Ai shpjegoi se deficiti i llogarisë korrente vijoi të tkurret në terma absolutë, në një masë domethënëse të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas ministrit, me rëndësi për qëndrueshmërinë ekonomike është fakti që deficiti i llogarisë korrente u financua tërësisht nga flukse kapitale që nuk krijojnë borxh.

“Ndërkohë përsa i përket bilancit të pagesave, shënoi rritje në suficitin e tij, duke arritur vlerën 185.4 milionë euro, nga 48 milionë euro të një viti më parë. Ajo që duhet theksuar është se deficit i llogarisë korrente vijoi të tkurret në terma absolutë dhe në një masë domethënëse në Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ajo që është akoma më rëndësishme, deficiti i llogarisë korrente u financua tërësisht nga flukse kapitale që nuk krijojnë borxh. Pra, cilësisht ka filluar ndryshim strukturorë i ekonomisë”, – tha Ahmetaj.

Qëndrueshmëria e financimeve publike lidhet me vitin 2017, që sipas ministrit të Financave, është vit specifik.

“Ishte viti i parë buxhetor që programoi dhe buxhetoi në kuadrin e një seti fiskal që u përfshinë në ligjin organik që iu bë ligjit të buxhetit në qershor të 2016, të cilat qëndrojnë si detyrim ligjor i çdo qeverie që të ulë borxhin publik, deri sa të zbresë dhe të qëndrojë në masën e 45% të PBB”, – sqaroi ai.

z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.