Motoristët çekë vizitojnë parkun Kombëtar të Tomorrit

322

TIRANË,17 Tetor / ATSH.N.Lena / – Ditët e ngrohta të tetorit kanë sjellë mjaft lëvizje turistike në qytetin e Beratit, por në veçanti në Parkun Kombëtar të Tomorrit. Drejtori i këtij parku, Fatos Nako tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se ditët me diell të këtij muaji po shfrytëzohen mirë nga turistët vendas e të huaj që ngjiten drejt lartësive të malit Tomorr, duke vizituar shpatet, pyjet e zverdhura nga vjeshta, fshatrat në fazën e mbledhjes së produkteve bujqësore dhe të përgatitjes së zahireve të dimrit.

Një peizazh vërtet rural në fazën e përgatitjeve dimërore. Dimri në këto anë është i egër sepse zbret nga majat e thepisura të malit hijerëndë, ku ka mitin e saj Dodona Pellazgjike, ose Dodona Dimërkeqe. Nën këmbët e saj shtrihen disa fshatra me një histori dhe traditë tepër të pasur si Dardha, Tomorri, Lybesha, Kapinova, Qaf-Dardha, Roshniku etj. që kanë shkruar histori në kohën e periudhës Osmane. Edhe historia, trashëgimia kulturore janë motive të forta për lëvizjen turistike në këtë zonë. Por, motivi i vjeshtës mbetet natyra.

Nako thotë se një grup motoristësh çekë që kanë vizituar Luginën e Vjosës në drejtim të Përmetit, kanionet dhe banjat termale të Langaricës, nëpërmjetë rrugës së vjetër që lidh Përmetin me Skraparin dhe Beratin, kanë zbritur në Kanionet e Osumit dhe më pas janë ngjitur drejt shpateve piktoreske të Tomorrit. Në vizitën e tyre në Kanionet e Osumit, të rinjtë motorist çek, kanë ndeshur dhe një çift të moshuarish anglez që mahniteshin me pamjet mbreslënëse të shpateve lumore.

“Shtegu nga Çezma e Tarikos drejt majës veriore, që është dhe maja më e lartë e Malit të Tomorrit 2415.6 m, është bërë nga më të preferuarit këto ditë të bukura vjeshte”, thotë Nako.

Duke folur me pasion për punën dhe arritjet në prezantimin turistik të këtij parku, ai tregon dhe për rrugëkalimet që ndjekin të rinjtë aventurierë të lartësive.

“Ky shteg përdoret nga alpinistët, por edhe nga vizitorët vendas dhe të huaj. Agjencitë turistike, gjithnjë e më shumë po e vendosin në guidën e tyre këtë shteg dhe turistët e huaj janë tepër të kënaqur”, përfundon intervistën e tij për ATSH-në, drejtori i Parkut Kombëtar të Tomorrit, Fatos Nako.
Pas shëtitjes në faqet malore të Tomorrit, aventurierët e natyrës të ardhur nga Çekia, zbritën në qytetin e Beratit ku vizituan objektet kulturore, historike dhe të kultit në këtë qytet. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.