Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm, vendimtare për sigurinë rajonale

TIRANË, 17 tetor /ATSH/ – “Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm është vendimtare për sigurinë rajonale”, – deklaroi sot Kryetari i Prezencës së OSBE në Tiranë, Bernd Borchardt në aktivitetin për mbështejtjen e shoqërisë civile në parandalimin dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.

“Ekstremizmi i dhunshëm është, në tërë Europën si dhe në pjesë të tjera të botës, një sfidë thelbësore, jo vetëm për vlerat demokratike të tolerancës, respektit, përfshirjes dhe diversitetit, që përbëjnë bazën e punës së OSBE-së, por, mbi të gjitha, për jetën e përditshme të komuniteteve që kërcënohen nga efektet e tij”, – tha ambasadori Borchardt.
Borchardt përmendi pamjet nga Parisi, Londra dhe vende të tjera, të cilat theksoi ai “ne të gjithë i kemi ende të gjalla në mendje”.

“Si sfidë globale, ekstremizmi i dhunshëm nuk njeh kufij, qoftë gjeografikë apo politikë. Për parandalimin dhe luftimin e këtij fenomeni, ne duhet të ndërtojmë bashkëpunim jo vetëm në nivel rajonal, por edhe ndërmjet aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë. Sigurisht, që institucionet shtetërore luajnë rol udhëheqës në këtë drejtim, përmes përpjekjeve të tyre me strukturat ushtarake, ligjzbatuese dhe shoqërore. Prezenca e OSBE-së ka bashkëpunuar me të gjithë këta aktorë në këtë fushë”, – tha Borchardt.

Sidoqoftë, theksoi ai, “masat e drejtuara nga shteti nga lart poshtë nuk janë kurrë të mjaftueshme për t’iu kundërvënë me efektivitet ekstremizmit të dhunshëm në shoqëri. Në vendin tim, në Gjermani, po zhvillohet një diskutim i gjallë për fuqinë e shoqërisë civile dhe nevojën për ta përfshirë atë. Kapitali më i çmuar në trajtimin e ekstremizmit të dhunshëm janë vetë komunitetet që ndiejnë drejtpërdrejt efektet e tij”.

“Angazhimi i aktorëve të shoqërisë civile – duke iu dhënë atyre instrumentet dhe mbështetjen që iu duhet për t’u rritur dhe vepruar – konsolidon vlerën e individëve, komuniteteve dhe shoqërisë civile në forcimin e sigurisë”, – u shpreh Borchardt.
Kjo konferencë, shtoi ai, “vjen në momentin e duhur për të nxjerrë në pah sfidat, mundësitë dhe historitë e suksesit që janë shënuar vitet e fundit në përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm në rajon. Këtu kemi mundësinë unike që të shohim të gjitha këndvështrimet: nga politikëbërësit, të cilët punojnë për formulimin e legjislacionit, politikave dhe strategjive, deri te përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët punojnë për të çuar përpara objektivat dhe vlerat kolektive në këtë qëllim të përbashkët”.

“Ne kemi ndjekur një qasje shumëdisiplinore, duke punuar ngushtë me aktorët shtetërorë, shoqërinë civile, rininë dhe ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë. Përmes këtij bashkërendimi, ne forcojmë pozitat tona për trajtimin e problematikave si kthimi i luftëtarëve të huaj terroristë, radikalizimi i të rinjve, si dhe problemet me të cilat haset sistemi i burgjeve në këtë kontekst”, – u shpreh Borchardt.

Ambasadori nënvizoi se, “në gjysmën e parë të vitit 2018, Prezenca e OSBE-së ka mbështetur studiuesit e rinj, duke iu ofruar trajnim dhe orientim teknik në përgatitjen e punimeve kërkimore në lidhje me rolin e grave në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe forcimin e sigurisë në komunitete”.

Gjithashtu, shtoi ai, “Prezenca ka organizuar seminare dhe trajnime në qytete në mbarë Shqipërinë, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për efektet negative të ekstremizmit të dhunshëm, duke aktivizuar mbi 200 pjesëmarrës nga çdo cep i vendit; si dhe për të nxitur politikat dhe vendimmarrjen vendore për sigurinë. Në nivelin e politikave kombëtare, gjatë të gjithë vitit kemi vazhduar të punojmë ngushtë me z. Sojati dhe Qendrën e tij të Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm”.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.