FOTO/ Urat lidhëse -ekspozitë e piktorëve shqiptarë të formuar në Itali

170

FOTO/ Urat lidhëse -ekspozitë e piktorëve shqiptarë të formuar në Itali

FOTO/ Urat lidhëse -ekspozitë e piktorëve shqiptarë të formuar në Italihttp://ata.gov.al/2018/10/17/foto-urat-lidhese-ekspozite-e-piktoreve-shqiptare-te-formuar-ne-itali/Kjo ekspozitë vjen në kuadër të edicionit të 18-të të Javës së Gjuhës Italiane në Botë, e cila zhvillohet nga datat 15-21 tetor që këtë vit fokusohet mbi temën ”Gjuha italiane dhe rrjeti si argument aktual për të hulumtuar mbi lidhjet dhe ndikimet e teknologjisë me gjuhën”.“Konceptimi i kësaj ekspozite vjen si lidhje mes dy fjalëve arti dhe gjuha. Kjo rezidencë do të shërbejë si muze për publikun shqiptar ku do të shohë artin shqiptar me artistë të formuar në Itali dhe do gjej copa arti që bashkojnë dy vendet”, tha ambasadori Cutillo.

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E mërkurë, 17 Tetor 2018

TIRANË,17 tetor /ATSH A.ALLA / – Veprat e artistëve shqiptarë të formuar në Itali u ekspozuan sot në një mënyrë mjaft të veçantë pranë Rezidencës së Ambasadorit të Italisë në Tiranë.

E titulluar “Vizion Kufijsh” kjo ekspozitë vjen për publikun si urë komunikimi mes dy vendeve të cilat lidhen ngushtë me njëri-tjetrin përmes kulturës.

Kjo ekspozitë vjen në kuadër të edicionit të 18-të të Javës së Gjuhës Italiane në Botë, e cila  zhvillohet nga datat 15-21 tetor që këtë vit fokusohet mbi temën ”Gjuha italiane dhe rrjeti si argument aktual për të hulumtuar mbi lidhjet dhe ndikimet e teknologjisë me gjuhën”.

Në konferencën për shtyp të organizuar sot në mjediset e Rezidencës së Ambasadorit të Italisë ishin të pranishëm Ambasadori Alberto Cutillo dhe kuratori i ekspozitës Artan Shabani.

“Konceptimi i kësaj ekspozite vjen si lidhje mes dy fjalëve arti dhe gjuha. Kjo rezidencë do të shërbejë si muze për publikun shqiptar ku do të shohë artin shqiptar me artistë të formuar në Itali dhe do gjej copa arti që bashkojnë dy vendet”, tha ambasadori Cutillo.

Në një pronocim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare kuratori i ekspozitës Artan Shabani u shpreh se kjo është një ekspozitë e rëndësishme dhe jo vetëm e pëlqyeshme. “Janë 42 vepra nga artistë që kanë studiuar në shkollat italiane në Romë, Firence, Milano. Artistët janë të shumtë si Vangjush Tushi, Ibrahim Kodra, Foto Stamo dhe shumë të tjerë të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në këto vepra që po prezantohen sot në këtë muzeum klasik dhe mjaft elegant siç është kjo rezidencë”, tha ai.

”Është një ekspozitë që shumë vepra vijnë për herë të parë të pasqyruara për publikun dhe kjo shërben si kartë vizitë për imazhin e Shqipërisë pasi kjo rezidencë mirëpret shumë dhe vizitorë të huaj. Piktura shqiptare nuk fillon as me vitet 90′ dhe as me realizmin socialist po i ka fillesat më herët dhe po të kërkojmë gjejmë mjaft vlera dhe vepra të çmuara të artit shqiptar si vepra nga Idromeno, vepra nga Simon Rrota dhe akoma më të hershme siç janë peizazhet e Mios”, tha kuratori Shabani.

”Kultura është urë lidhëse jo vetëm për vendet por edhe për njerëzit. Kultura është elementi bazë i shoqërisë ku njohim brendësinë e njëri – tjetrit”, përfundoi kuratori Artan Shabani.

Ekspozita është një kthim i dyfishtë në shtëpi për ata të cilët, pasi u kthyen nga Italia, dhanë mësim për shumë vite në liceun artistik “Jordan Misja”, pikërisht përballë Rezidencës së Italisë, ndërtesë që sot strehon disa nga pikturat e tyre dhe që përfaqëson një copë të vogël të atij vendi ku atyre nuk iu lejua kurrë të ktheheshin, por që për disa javë i mirëpret.

Ekspozita është pjesë e një projektit më të gjerë që Ambasada Italiane në Tiranë po kryen për rindërtimin e atyre lidhjeve midis Italisë dhe Shqipërisë që – gjatë viteve të Luftës së Ftohtë – dukeshin të ngrira, por që në realitet ishin ftohur nga një imponim i jashtëm që megjithatë nuk arriti të thyente afërsinë shumë të ngushtë kulturore midis dy vendeve tona.

Fakti që secila prej pikturave të ekspozuara në Rezidencë përmbledh përvojën dhe intimitetin e artistëve të formuar në Itali, është një kontribut i mëtejshëm në rindërtimin e historisë dhe kulturës sonë të përbashkët. /j.p/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.