FOTO/ Sezoni turistik, 46368 vizitorë në Muzetë e Beratit

153

TIRANË,17 tetor /ATSH/- Sezoni turistik 2018 sapo ka përfunduar. Qendra Kombëtare e Muzeve Berat, Muzeu Ikonografik “Onufri”, Muzeu Etnografik vazhdon të jenë destinacione të vizitueshme nga turistët, me një numër përherë në rritje.

Këtë e tregon numri i vizitorëve dhe të ardhurat e realizuara, që nuk kanë të krahasuar me një vit më parë. Në periudhën 1 maj – 15 tetor 2017 numri i vizitorëve ka qenë 31606, ndërsa në 1 maj – 15 tetor 2018 arriti në 46368, një rritje prej 14762 vizitorë, ose 146.7% më shumë.

Nga këta vizitorë në vitin 2018, 34952 ishin vizitorë të huaj, pra 10,287 ose 141.7% vizitorë më shumë se viti 2017. Në vitin 2018 ishin 3046 vizitorë vendas, pra 814 ose 136.5% vizitorë më shumë se viti 2017. 

Gjithashtu këto monumente kulture çdo të diel të fundmuajit dhe ditët e festave i mirëpresin vizitorët falas dhe kjo risi ka bërë që Qendra Kombëtare e Muzeve Berat në vitin 2018 të ketë 5961 vizitorë pa pagesë duke përfshirë dhe grupmoshat 0-8 vjeç, pra 4153 ose 146.7% vizitorë më shumë se viti 2017.

Qendra Kombëtare e Muzeve me rritjen e numrit të vizitueshmërisë ka realizuar për periudhën 1 maj-15 tetor 2018, 7,708,500 lekë nga shitja e biletave, nga këto 2,152,440 lekë, ose 138.7 më shumë se periudha 1 maj-15 tetor 2017.

Pak histori mbi muzetë…

Muzeu Etnografik është krijuar në vitin 1979 në një banesë me arkitekturë karakteristike beratase. Ky tip banese është ndërtuar nga shtresa e pronarëve të tokave, të cilët jetonin në qytetet me rente feudale. Është banesë dykatëshe, me çardak në njërin krah. Kati përdhes (hajati) është i pabanuar. Lidhja me katin e dytë është bërë me shkallë guri, të ndërtuara mbi qemerë në harkada guri.

Periudha e ndërtimit i përket shekullit të XVIII. Banesa është pjesë e krijimtarisë popullore, ideuar dhe ndërtuar nga mjeshtrit vendas. Vëmendja kryesore në këtë banesë i kushtohet hapësirës së hajatit dhe çardakut. Ajo është e pajisur me orendi te palëvizshme, si kamare, sergjene, dollap muri, pus, oxhakë etj, të cilat shërbenin për ruajtjen e objekteve shtëpiake.

Banesa është e përbërë nga disa dhoma që shërbenin për të ndenjur, për punë, ngrënie, fjetje, gatim etj. Mjedisi i jashtëm i këtij muzeu shquhet për një kombinim të natyrshëm të objekteve te mëdha muzeale. Pranë pusit është vendosur mëngra (mulliri shtypës), si dhe presa e drunjtë që shërbente për nxjerrjen e vajit nga ulliri. Gjithashtu këtu ka edhe shumë enë të mëdha qeramike që përdoreshin kryesisht për mbajtjen e produkteve të lëngshme. Ky muze ka një fond te pasur me rreth 1200 objekte.

Muzeu Kombëtar Onufri në Berat,është përshtatur në ambientet e Kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, në Kalanë e Beratit, që prej 27 shkurtit të vitit 1986.

Muzeu mban emrin “Onufri”, njëri prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shek. XVI. Kisha është rindërtuar në vitin 1797 në lagjen Kala, ka qenë katedralja e qytetit e cila është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pas Bizantine në qytetin e Beratit.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej mëse 1500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë, dhe të qytetit të Beratit, ku 106 janë ikona dhe 67 janë objekte liturgjike, dhe u përket piktorëve ikonografë shqiptarë që kanë krijuar në shekujt XIV – XX: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpatarakut dhe Çetirët (Gjergji, Nikolla, Johani, Naumi, Gjergji i riu), dhe të shumë piktorëve të tjerë anonimë. Ikonabartësin e katedrales së Beratit e ka gdhendur mjeshtër Naumi nga Lavdari i Oparit dhe mjeshtër Stefan Barka nga Mirasi i Oparit, në mesin e shekullit të XIX. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.