“Dogfall”, shfaqja në teatrin Metropol mbi transformimin e qenies njerëzore

TIRANË,17 shtator /ATSH/ – Shfaqja “Dogfall” me regji të Stefan Çapalikut vjen për publikun në skenën e Teatrit Metropol. Pjesa teatrore vjen për të gjithë artdashësit, si një moment reflektimi për luftërat që kanë pasoja të rënda, deri në transformim të qenies njerëzore.

Stefan Çapaliku na çon në front të betejës, për të na rrëfyer transformimin shpirtëror e fizik të ushtarëve marioneta. Në një kohë që bota po flluskon prej gjakut të viktimave pa kursyer edhe fëmijët, regjisori sjell shfaqjen “Dogfall” nëpërmjet interpretimit të aktorëve Ervin Bejleri, Alert Çeloaliaj dhe Erion Hinajt, shkurton distancat mes publikut dhe asaj që ndodh në një front beteje.

Një ushtar dhe një infermier që përpiqen të mbijetojnë, por ndërkohë lufta do të lërë pak prej tyre. Çapaliku na rrëfen se si një infermier zemërmirë me dëshira dhe ëndrra për botën transformohet në një qenie të frikshme, të rrezikshme për çdokënd.

Pasojat e luftës janë aq të rënda, saqë nëse e përjeton rreziku, që lufta e brendshme brenda individit të mos mbarojë kurrë, është i madh.

“Kundër kujt po luftojmë?” – pyet Xhek, teksa shpreh frikën se s’do të dalë i gjallë prej gjithë kësaj. Dhe me të drejtë, lufta arrin të vrasë pjesën humane të tij, ai është krejtësisht i tjetërsuar…

Shfaqja “Dogfall”, vepër e autorit australian Caleb Lewis vjen për të gjithë artdashësit në Teatrin Metropol në datat 19 dhe 20 tetor. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.