Aplikacioni “Rruga dixhitale”, qytetarët raportojnë problemet me rrugët

187

TIRANË, 17 tetor/ATSH/- “Rruga dixhitale” është pjesë e programit të mirëmbajtjes së rrugëve me performancë në sigurinë rrugore që qeveria shqiptare aplikon në bashkëpunim me Bankën Botërore, në gati gjysmën e rrjetit rrugor kryesor shqiptar.

Kështu deklaroi sot në një intervistë televizive, drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro, i cili theksoi gjithashtu se “”Rruga dixhitale” është një program që e sjell qytetarin më afër problemit dhe e bën pjesë të shqetësimit që ngre”.

“Qytetari nëpërmjet telefonit të tij, mund të fotografojë, të shkruajë, të dërgojë çdo lloj vërejtje që ka në lidhje me mirëmbajtjen e rrugës, me një vjedhje që ndodh në rrugë, një problematikë që ka në mirëmbajtje dhe ky aplikacion bën të mundur që kjo e dhënë të vijë në mënyrë të shpejtë në drejtim të ARRSH-së dhe drejtorive përkatëse, merret, shqyrtohet problemi dhe me kompanitë e mirëmbajtjes zgjidhet problemi”, nënvizoi Qendro.

Duke sqaruar këtë aplikacion, Qendro shprehet se në momentin që qytetari bën denoncimin, apo vërejtjen për një problematikë të caktuar automatikisht kjo shkon në serverin që ndodhet pranë ARRSH-së dhe i kalon automatikisht drejtorisë përkatëse, që do të thotë ose drejtorisë së PMU-së që menaxhon projektin e Bankës Botërore, ose drejtorive përkatëse të tre rajoneve të Shkodrës, Tiranës dhe Gjirokastrës që mirëmbajnë akeset e tjera rrugore”.

Sipas tij, në këtë moment do të jenë të futura në sistem edhe kompanitë që kanë akset përkatëse.

“Pra në momentin që vjen ankesa ne fillojmë operojmë me problemin në rrugë dhe i kërkohet kompanisë që ka këtë rrjet rrugor , cili është problemi, si zgjidhet , sa kohë do zgjidhet dhe ne do t’i raportojmë qytetarit brenda aq ditëve sa është në ligjin zyrtar të shtetit për përgjigje të një ankese të caktuar”, theksoi Qendro.

Nëse, vijoi ai, në rrugë shkresore do të vinte në protokoll apo do të vonohej, nëse vjen një fotografi dhe ka gropë në rrugë, gropa po nuk u mbush ne nuk mund të gënjejmë dot, po ashtu edhe kompania që bën këtë mirëmbajtjen duhet të kthejë përgjigje me punë të kryer.

“Kjo e rrit përgjegjshmërinë, na vë në një presion shumë të madh bashkë me kompanitë kontraktuese, por në fakt ne rrisim performancën dhe i vijmë në ndihmë një elementi të rëndësishëm, që shpesh e anashkalojmë, sigurisë rrugore”, tha Qendro.

Duke e konsideruar shumë të rëndësishme sigurinë rrugore, Qendro shprehet se sinjalistika, mirëmbajtja, operojnë që të kryejnë dy funksione, mirëmbajtjen, jetëgjatësinë e objektit dhe të sigurojë të gjithë elementët e sigurisë që përdoruesit e rrugëve të kenë sa më pak aksidente, ne të kemi sa më pak dëme në njerëz, po ashtu edhe në mjete”./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.