Shqipëria 60 vjet në UNESCO, kontribut në ruajtjen e trashëgimisë botërore

Shqipëria 60 vjet në UNESCO, kontribut në ruajtjen e trashëgimisë botërore

Shqipëria 60 vjet në UNESCO, kontribut në ruajtjen e trashëgimisë botërore"Hapi i parë domethënës dhe thelbësor me UNESCO-n erdhi në vitin 1992 me pranimin e Butrintit në sitet e mbrojtura të trashëgimisë botërore. Për të parën herë një pasuri e jona kombëtare mori meritën që i takonte duke u bërë pjesë e mozaikut të trashëgimisë botërore”, u shpreh Kumbaro.http://ata.gov.al/2018/10/16/shqiperia-60-vjet-ne-unesco-kontribut-ne-ruajtjen-e-trashegimise-boterore/

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E martë, 16 Tetor 2018

TIRANË, 16 tetor /ATSH A.ALLA/ – Shqipëria pas 60 vjetësh të anëtarësimit në UNESCO nuk është më thjesht pjesëmarrëse por kontribues në ruajtjen e trashëgimisë botërore.

Ministria e Kulturës, Mirela Kumbaro pjesëmarrëse në aktivitetin e 60-vjetorit të Shqipërisë në UNESCO e vuri theksin te domethënia e kësaj organizate dhe vlerat e vendit tonë në këtë trashëgimi botërore.

Ajo u shpreh se ”zgjodha për titull ”Paqen” sepse secili nga ne mendon çfarë mund të bëjmë ne për ta promovuar paqen në botë dhe kjo është çështja që UNESCO shtroi për zgjidhje që kur u krijua në vitin 1945 fill pas luftrave që përgjakën botën. Një përgjigje për këtë na e ka dhënë Shenjtorja jonë Nënë Tereza e cila thotë ”shko në shtëpi dhe duaj familjen tënde”. Kur Shqipëria u fut në UNESCO 60 vite më parë ne ende nuk e kishim zgjidhur problemin e paqes me veten tonë, ndaj dhe për më shumë se 30 vjet prania jonë ishte gati formale në UNESCO thjesht me dëshirën për të qenë në paqe me të të tjerët”.

”Gjithçka nis me njohjen e vetes dhe të tjetrit ky është thelbi. Njohja nis nga zakonet, nga traditat, nga mënyra e jetës të shprehura brenda shtëpive tona,brenda qendrave historike pra në trashëgiminë materiale dhe jo materiale pra nis nga kultura.Një kulturë që dëshmon pasurinë e një vendi pa i dhënë ngjyra të përkohshme por duke e ruajtur dhe promovuar për vlerat e përhershme. Në këtë kuptim ishte e vështirë vendosja e kësaj rruge komunikimi me UNESCO në lëmin e kulturës para viteve 90. Në atë ishte komunikim i pjesshëm i cunguar dhe kjo është arsyeja pse hapi i parë domethënës dhe thelbësor me UNESCO-n erdhi në vitin 1992 me pranimin e Butrintit në sitet e mbrojtura të trashëgimisë botërore. Për të parën herë një pasuri e jona kombëtare mori meritën që i takonte duke u bërë pjesë e mozaikut të trashëgimisë botërore”, u shpreh Kumbaro.

Ajo vijoj se ”Butrinti dëshmonte se ishim dhe jemi banorë të një vendi ku ka gjurmë të qytetërimeve të hershme që nga ai Ilir, Helen apo Romak, jemi pjesëmarrës në ndërtimin e vlerave të përbashkëta të qytetërimit europian. Është pikërisht ky stof i thurur së bashku që bëhet baza e së ardhmes tonë. Pas Butrintit në vitin 2005 do të ishte radha e Qendrës Historike të Gjirokastrës për tu bërë pjesë e trashëgimisë botërore zgjeruar më vonë me Qendrën Historike të Beratit në vitin 2008 të cilit këtë vit i festuam 10-vjetorin”.

”Dy qendra të regjistruara jo vetëm për arkitekturën karakteristike por edhe si dëshmi bashkëjetese fetare të përkatësive të ndryshme,dëshmi dhe njëherë se paqja që meritojmë ndërtohet përmes njohjes, pranimit dhe pasurimit nga tjetri, i ndryshmi prej teje. Ne e kemi një shembull të tillë që është bashkëjetesa fetare ku ruhen njëlloj pranë njëra-tjetrës kisha, xhamia dhe teqe. Shqipëria është gjithashtu pjesë e kujtesës së botës ku në vitin 2005 Kodikët e Purpurt të Beratit, një që daton në shek.VI dhe tjetri që daton në she IX,ku prania dhe ruajtja e kësaj pasuri me vlera të mëdha historike është një tjetër dëshmi e përkatësisë tonë të hershme në atë që përbën themelet e qytetërimit europian”, shtoi Kumbaro.

Ajo gjithashtu tha se ”po në vitin e mbarë të 2005 u kurorëzuan përpjekjet shumë vjeçare për pranimin në listën e kryeveprave botërore dhe të Isopolifonisë shqiptare,duke shënjuar kështu një etapë të re jo vetëm të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe UNESCO-s por dhe të shndërrimit të kulturës sonë në faktor parësor në integrimin europian dhe në krijimin e një imazhi të vërtetë pozitiv për Shqipërinë. Gjitha këto arritje kanë pas një punë të madhe bashkëpunues institucionale mes Shqipërisë dhe UNESCO-s” .

”Një lajm i mirë për botën e trashëgimisë kulturore është se sapo kemi nisur punën për hartimin e planit të integruar të menaxhimit të Butrintit që është në fakt plotësim i rekomandimit të mëparshëm nga UNESCO.Gjithashtu hartimi i projekteve dhe i katër muzeve si dhe puna që ka nisur për projektin e rehabilitimit të Muzeut Historik Kombëtar janë të gjitha sfida të sotme dhe nesërme”, përfundoi ministria e Kulturës Mirela Kumbaro. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.