Shpifjet, Rama: Po u tregtohen përditë shqiptarëve nga humbësit politikë

TIRANË, 16 tetor/ATSH/ – Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me Paketën Antishpifje, të lançuar prej tij pak ditë më parë.

Rama shkruan se të gjithë duhet të imagjinojnë, qoftë edhe për një moment, sikur shpifja dhe gënjeshtra të ishte e lejuar për fëmijët dhe t’ju mësohej atyre si një mjet i nevojshëm. Rama thotë se shpifja, gënjeshtra, hiletë dhe sharjet po iu mësohen shqiptarëve nga politika dhe media.

“Imagjinoni për një moment sikur fëmijëve t’u mësonim se shpifjet, sharjet, hiletë e gënjeshtrat, janë mjete jo vetëm të lejueshme, po edhe të nevojshme për të mundur një kundërshtar! Sot këto mjete po u tregtohen përditë shqiptarëve nga humbësit politikë dhe kazanët mediatikë”, shkruan Kryeministri./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.