Oficerët e sigurisë në shkolla, ministri austriak kërkoi bashkëpunim

TIRANË, 16 tetor/ATSH/ – Ministri i Brendshëm i Austrisë kërkoi bashkëpunim me Shqipërinë për programin e oficerëve të sigurisë në shkolla.

Kryeministri Rama deklaroi sot se ministri austriak ka kërkuar marrëveshje bashkëpunimi me Shqipërinë në këtë aspekt, edhe pse vendi austriak është një nga vendet më të sigurta në BE, pasi situata në shkollat austriake nuk paraqitej e mirë nga pikëpamja e konsumimit të heroinës dhe kokainës.

“Ministri i Brendshëm kërkoi që të bëjmë një marrëveshje bashkëpunimi për programin e oficerëve të sigurisë dhe po të dëgjonit ministrin austriak se çfarë thoshte për situatën në shkolla lidhur me kokainën dhe heroinën, një nga vendet më të sigurta të BE, ju do ta kishit lidhur me 700 fon habilja dhe babilaj”, – tha Rama.

Rama tha se programi i oficerëve do të jetë urë lidhëse mes shkollës dhe Policisë së Shtetit. “Ne kemi futur programin e oficerëve të sigurisë në shkolla në të gjitha gjimnazet e Shqipërisë, që është për të ndihmuar prindërit, mësuesit, fëmijët për të krijuar një urë mes shkollës dhe Policisë së Shtetit”, – deklaroi ai.

Rama tha se mania për ta bërë Shqipërinë sikur në këtë vend ka vetëm krime, nuk është e vërtetë, pasi ishte kjo qeveri, sipas tij, që nisi luftën ndaj krimit dhe luftën ndaj kanabisit.

“Ne hapëm luftën kundra kanabisit dhe ju nuk dinin që kishte kanabis në Shqipëri. Ju kurrë nuk ngritët zërin për Lazaratin. Ne e hapëm luftën kundra kanabisit”, – tha Rama, duke iu drejtuar panelit të gazetarëve.

/z.tosku/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.