Nisin dëgjesat publike për buxhetin, transformim edhe zonës së 9-katësheve

89

TIRANË, 16 tetor /ATSH/ Dëgjesat me qytetarët për buxhetin e bashkisë së Tiranës për vitin e ardhshëm kanë nisur nga njësia 8 ku kryebashkiaku Erion Veliaj ka përmbledhur edhe bilancin e punës së realizuar në këto tre vjet. Ai e ka nisur nga Pazari i Ri, si simbol i transformimit që ka pësuar kryeqyteti, duke vënë në dukje se në tre vite Tirana ka bërë më shumë progres se çdo kryeqytet tjetër në rajon. Ai theksoi se vetëm në Njësinë 8 Bashkia e Tiranës ka investuar më shumë nga sa kishte premtuar në 2015.

Një nga projektet më transformuese dhe që pritet të japë një impakt tepër pozitiv në ekonominë e qytetit është edhe projekti i përbashkët i Bashkisë së Tiranës, me Fondin Shqiptaro-Amerikan për rehabilitimin e zonës së 9-katësheve. Veliaj sqaroi se sheshi “Skënderbej” do të lidhet me “Pazarin e ri”, në një zonë që do të jetë hapësirë biznesi, duke gjeneruar edhe mjaft vende të reja pune.

“Kemi marrë një vendim që të mos i lëmë Pazarin e Ri dhe sheshin “Skënderbej” si dy ishuj veç e veç, me kolonat në mes, por kemi përgatitur një investim së bashku me miqtë tanë të Fondit Shqiptaro-Amerikan, për të riparuar të gjithë pjesën e 9-katësheve, kolonave, që sheshi “Skënderbej” të lidhet natyrshëm, me të njëjtin cilësi punimesh, përmes dy pjesëve të kolonave, me Pazarin e Ri, duke e kthyer në një rrugë të madhe shopingu. Me lirimin e shumë pikave të kazinove dhe basteve, do të ketë më shumë hapësirë për biznese të mirëfillta, që gjenerojnë vende pune”, shtoi kryebashkiaku.

Një tjetër investim i rëndësishëm që ka prekur Njësinë Nr. 8 në kryeqytet është dhe rehabilitimi i zonës së Bregut të Lumit, ku si rezultat i investimit për herë të parë nuk ka pasur përmbytje. “Mbaj mend në vitin e parë kur sa fillonte shiu, Lumi i Tiranës dilte nga shtrati dhe futej nëpër lagje, e gjithë pjesa veriore e njësisë përmbytej. Kemi shpëtuar! Më në fund, zona po merr vlerë, duke rregulluar lagjet. Duam të vazhdojmë investime te Bregu i Lumit”, tha ai, ndërsa siguroi vijimin e investimit për ndërtimin e Bulevardit të Ri, ku po projektohet Tirana e së ardhmes.

Duke u ndalur tek institucionet arsimore në Njësinë 8 në kryeqytet, Veliaj tha se krahas mirëmbajtjes së çerdheve dhe kopshteve, shumë shpejt do të nisë puna për rikonstruksionin e shkollës së fëmijëve që nuk shikojnë, si dhe të gjimnazit Partizani. “Në Njësinë 8 kemi ndërhyrë në 7 shkolla, nga këto 3 kanë qenë rikonstruksione totale; kemi ndërhyrë në 3 kopshte dhe 3 çerdhe, kemi rikualifikuar 3 hapësira publike, kemi vendosur një rrjet ujësjellësi dhe kanalizimi në rrugë, akse kryesore të Njësisë 8, kemi investuar në një bibliotekë dhe sigurisht në një treg që është tregu më i bukur në Shqipëri, ndoshta edhe në Ballkan, Pazari i Ri.  Ndërkohë, jemi në proces realizimi për ndërtimin e një shkolle të re, rehabilitimin tërësor të një blloku banimi, korsitë e reja të biçikletave. Rr. “Qemal Stafa”, do të përfshihet nga aksioni për rivitalizimin e kësaj zone, që është realisht zemra e Tiranës, ndërkohë kemi projektuar rikonstruksionin e 4 rrugëve të Njësisë Administrative 8”, deklaroi Veliaj.

Sa i përket kujdesit social, Veliaj bëri të ditur se në gjithë qytetin janë hapur qendra sociale dhe buxheti për to është dyfishuar, ndërkohë që një vëmendje e veçantë është treguar edhe për strehimin e familjeve të pastreha përmes programeve të ndryshme që ofron Bashkia e Tiranës.

Kryetarja e PS për Tiranën, Blerina Gjylameti u shpreh se sikurse në këto tre vite, edhe në katër vitet e ardhshme, vëmendja do të jetë tek qytetarët e thjeshtë. “Çdo veprim, çdo aksion, çdo investim të jetë i fokusuar për t’i dhënë vëmendje qytetarit të thjeshtë. Do e vazhdojmë cep më cep këtë punë të bukur. Garën nuk e kemi me ata që garën e kanë të humbur që në fillim. Nuk e kemi me ata që duan ta kthejnë Shqipërinë pas, por e kemi me vetveten, për t’u treguar se nuk është pak ajo që kemi bërë në 5 vite qeverisje, nuk është pak ajo që bëmë me Erionin në 3 vite.  Për ne është shumë e rëndësishme që të jemi në lartësinë që na kanë caktuar qytetarët. 74 mandate për ne ishin numër i konsiderueshëm, por një përgjegjësi shumë e madhe që jemi në atë lartësi detyre dhe duhet t’ua kthejmë me punë”, tha Gjylameti.

Deputeti i PS, Ervin Bushati  vlerësoi vëmendjen e treguar nga Bashkia e Tiranës për Njësinë 8 në. Ai shprehu bindjen se falë projekteve transformuese, Tirana është tashmë e njohur kudo në Europë. “Jemi gati për të nisur një udhëtim të ri. Më vjen mirë që krahasimet nuk bëhen më me të shkuarën, por garën e kemi me veten tonë. Më vjen mirë që nuk do të merremi me somnabulin apo me atë që fle gjumë, por me atë që kemi bërë vetë. Unë mendoj se në mandatin e ardhshëm Tirana jo vetëm do të përmirësohet dhe do të jetë pranë qytetarëve, por do të krijojë edhe një Tiranë turistike që gjithmonë e më shumë po sjell kapital, turizëm”, tha Bushati. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.