Akuzat e PD, reagon kreu i AKEP Ilir Zela: Deklaratë e papjekur

100

TIRANË, 16 tetor/ATSH/ – Kreu i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Ilir Zela i është drejtuar kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha me një letër publike, të cilit i sugjeron që të shohë punën e tij, duke e cilësuar reagimin e kreut të PD, si një vendim të papjekur.

Ilir Zela i shkruan kryetarit të PD “që të shikoni punën tuaj, e cila uroj t’ju shkojë më mirë, e jo të përqendroheni në përçmimin e punës së të tjerëve. Përkundrazi. Deklarata juaj për AKEP është në rastin më të mirë e papjekur, ndërsa në rastin më të keq, gjejeni vetë emrin”.

Më pas Ilir Zela sqaron se “AKEP-i nuk synon të mbyllë asnjë media online, sepse po ta kishte këtë synim do të mjaftonte zbatimi i ligjit ekzistues, miratuar me votën tuaj, për të mbyllur një pjesë të madhe të tyre.
Por jo, AKEP-i synon të ndihmojë formalizimin e të gjitha portaleve online dhe kërkesa për vendosjen e NIPT-t në seksionin KONTAKT të faqes web, buron nga ligji, jo nga ndonjë synim i errët i AKEP”.

Për ta lehtësuar këtë shpjegim kreu i AKEP, fton Bashën dhe këdo që dëshiron, të klikojë një çfarëdo media online në vendin fqinj, Itali, ku në faqet përkatëse gjendet edhe NIPT-i.

“Aty do të gjeni NIPT-in identifikues, që nuk është një damke censure, po një kartë identiteti e veprimtarisë ekonomike. Dhe po zoti Basha, çdo media online (përjashto blogjet individuale) është një entitet tregtar dhe jo një frëngji nga ku persona të paidentifikuar qëllojnë, pa treguar as burimet e financimit e madje duke ofruar edhe hapësira për reklama tregtare, apo shitje të natyrave të tjera”.

“AKEP është përgjegjës në punën e tij para Kuvendit të Shqipërisë dhe ballafaqohet me sfida të shumta në veprimtarinë e tij, për të cilat ka merituar dhe meriton mbështetjen e vazhdueshme të deputetëve të të gjitha krahëve, dhe çfarë është me e rëndësishmja, të publikut të gjerë. Ndaj edhe në këtë çështje ju ftoj të na mbështesni dhe jo të na pengoni. Sjell në vëmendjen tuaj, së fundmi AKEP me përkrahje të plotë publike i rishikoi rregullat e regjistrimit të domaineve, me synimin e vetëm mbrojtjen e përdoruesve të tyre nga abuzimet. Identifikimi i poseduesve të emrave të domaineve është një përgjegjësi ligjore e AKEP”.

Në fund, kreu i AKEP i rikujton Lulzim Bashës “të shohë punën e tij dhe nëse nuk e ndihmoni dot, të paktën mos e sulmoni dhe shantazhoni AKEP-in. Sepse AKEP-i është një institucion i ligjshmërisë dhe shtetit të së drejtës, jo një vegël qorre, siç qorrazi e etiketoni ju”.  /o.l/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.