3 kandidatë për vendin vakant në Komisionin e Pavarur të monitorimit të Vetingut

TIRANË, 16 tetor /ATSH/ – Tre kandidatë kanë shpallur interes për vendin vakant për anëtar të Komisionit të Pavarur për koordinimin, monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Komisioni i Pavarur për koordinimin, monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” do të monitorojë përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të institucioneve të reja të drejtësisë, si Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Gjykata dhe Prokuroria e Posaçme antikorrupsion.

Kuvendi i Shqipërisë me anë të një njoftimi për mediet ka theksuar se “bazuar në Vendimin nr.74, datë 31.5.2018 të Kuvendit, në përfundim të afatit të parashikuar në shpalljen për hapjen e procedurës së aplikimit për një vend vakant për anëtar të Komisionit të Pavarur për koordinimin, monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, kanë paraqitur shprehjen e interesit dhe dokumentacionin shoqërues kandidatët:

1. Besnik Kaçurri
2. Muhamed Kavaja
3. Petrit Plloçi

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.