Tregu i mishit në Milot, AKU bllokon katër raste me shkelje të sigurisë ushqimore

TIRANË, 15 tetor /ATSH/- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) Lezhë bllokoi në tregun e shitjes së mishit në Milot, aktivitetin e 4 ambulantëve të cilët tregtonin ushqime jashtë kushteve të sigurisë ushqimore, pa vulë, certifikatë veterinare si dhe ishin të pa regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).

Në një njoftim për shtyp AKU, sqaron se, “ndër to dy raste ishin “tregtim peshku” në rrugë, 29 kg peshk dhe 110 kg peshk  dhe ndaj tyre u mor masë administrative gjobë, 300.000 lekë secili. Ndërkohë 2 rastet e tjera ishin “tregtim mishi” ku u bllokuan 29 kg mish (dhie) dhe 150 kg mish derri dhe ndaj tyre u mor masë administrative gjobë, 150.000 lekë për secilin”.

AKU në bashkëpunim me Policinë e shtetit do të vijojnë të kryejnë kontrolle edhe në tregjet e tjera të Shqipërisë në kuadër të disiplinimit të therjeve dhe të tregtimit të produkteve shtazore në funksion të sigurisë ushqimore.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në [email protected] si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam” Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.