Tirana me indeks më të lartë sigurie se Roma e Athina

TIRANË, 15 tetor/ATSH-Maela Marini/ “Tirana ka indeks më të lartë sigurie se Roma apo Athina”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, duke iu referuar burimeve zyrtare të statistikave në Europë.

Kryeministri solli sot të dhëna mbi indeksin e krimit krahasuar mes qyteteve europiane, nga burimet zyrtare që u referohet vetë Komisioni Europian.

“Roma dhe Athina dhe plot qytete të tjera, e kanë më të lartë se Tirana indeksin e krimit. Po sjell shembullin e indeksit të sigurisë në këto dy kryeqytete europiane, sepse janë shumë të afërta me ne dhe me to jemi shumë familjarë”, – tha Rama.

Por, sipas tij, “nuk ka shqiptar që mund ta dëshmojë se në Romë apo Athinë, ka parë ndonjëherë kërdi zifti dhe helmi për krimin”.

“Shqipëria është pak nën mesataren e vendeve të të gjithë Europës, sa i takon indeksit të krimit. Nuk dua të bëj këtu listën se cilat vende janë më mbrapa, por p.sh. Britania e Madhe apo Suedia, Italia, Franca, Bullgaria, Belgjika kanë një indeks kriminaliteti më të lartë se sa Shqipëria. Por aty, nuk i shkon mendja kujt të marrë mikrofonin dhe të bëjë katran vendin e vet, për të krijuar një perceptim të kundërt me realitetin”, – shtoi Rama.

Duke u ndalur te indeksi i sigurisë, Rama tha se “krahasuar me vendet e Europës, Shqipëria është te një mesatare, sa i takon këtij indeksi”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.