Statistikat europiane/ Policia e 2013-s, tërësisht e influencuar nga politika

93

TIRANË, 15 tetor/ATSH – Maela Marini/ “Lidhur me vendimmarrjet dhe veprimet e Policisë së Shtetit në raport me influencën politike, Shqipëria e vitit 2013 figuron e influencuar tërësisht politikisht”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama duke iu referuar burimeve zyrtare të statistikave në Europë.

Sot, sipas tij, Shqipëria është midis fundit dhe mesatares sa i takon këtij treguesi, por duke qenë pranë Portugalisë dhe Holandës. “Pra nuk jemi në pozicionin më të keq të mundshëm”, – tha Rama.

Po ashtu, tha Rama, “pyetjes nëse ka qenë ndonjë anëtar i familjes i agresuar për vjedhje apo dhunë në 5 vitet e fundit, në vitin 2013 i përgjigjeshin shumë më tepër njerëz me ‘po’ se sa në 2018”.

Edhe lidhur me sigurinë në komunitet, Rama tha se “Shqipëria e 2013-s është e fundit fare, ndërsa Shqipëria e 2018-s është sot pak nën mesataren e BE-së, për nga siguria e personit në komunitet”.

Lidhur me krimet e dhunshme, Rama tha se, “Shqipëria e 2013 është e fundit, ndërsa Shqipëria e 2018-s është midis fundit dhe mesatares”.

Në raport me ryshfetin, Kryeministri tha se “Shqipëria në 2013 mban kampion, ndërsa sot po i afrohemi mesatares së BE-së, më pranë se Kroacia, Greqia apo Sllovakia, që janë vende të BE-së”.

Kreu i qeverisë theksoi se “problem mbetet gatishmëria e njerëzve për të dalë para Gjykatës dhe për të dëshmuar kundër kriminelëve, por edhe këtu jemi pak më mirë se sa në vitin 2013, që ishim fundi i botës bashkë me Ukrainën”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.