Shqipëri-Kosovë/ Bashkëpunim për përmirësimin e politikave publike

125

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ – Shqipëria dhe Kosova synojnë të rrisin bashkëpunimin dhe të thellojnë njohuritë në fushën e politikave publike sipas standardeve europiane.

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi sot projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Komisionit Europian, për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Shqipëri – Kosovë 2014-2020, alokimet për vitin 2016”.

Të ftuar në komision ishin Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Barbullushi dhe Drejtoresha e Fondeve IPA, Daniela Cekani, në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Në cilësinë e komisionit përgjegjës, Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi dhe miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Komisionit Europian, për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Shqipëri – Kosovë 2014-2020, alokimet për vitin 2016”.

Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Barbullushi u shpreh se marrëveshja financiare u nënshkrua për palën shqiptare, në korrik 2017.

 “Programi i veprimit e bashkëpunimit ndërkufitar IPA II  Shqipëri- Kosovë 2014-2020, u miratua nga Komisioni Europian me vendimin zbatues nga një grant 2014.

Alokimet e vitit 2016, për këtë program, financohen nga një grant i BE-së, nëpërmjet Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA) me një buxhet total, për të dyja vendet, prej 1 411 765 euro”, përfundoi fjalën Barbullushi.

Barbullushi tha se programi i bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë mbështet shkëmbimin e eksperiencës, të njohurive dhe përmirësimin e politikave publike ndërmjet autoriteteve kombëtare, rajonale e lokale si dhe aktorëve të tjerë të rajoneve të lejueshme në zonën e programit.

Relatori i kësaj marrëveshjeje Ervin Bushati, tha se programi i bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë, ka për qëllim kryesor të kontribuojë në zhvillimin afatgjatë të zonave, si dhe të forcojë më tej bashkëpunimin natyral ndërmjet dy shteteve. Sipas Bushatit, përmes këtij bashkëpunimi do të mundësohet zbatimi i projekteve specifike ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat përveç shkëmbimit të njohurive dhe eksperiencave, do të sjellin rezultate të dukshme në sektorin e turizmit, mjedisit, punësimit.

Po sot, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Komisioni për Sigurinë Kombëtare dhe Komisioni për Politikën e Jashtme e shqyrtuan dhe miratuan projektligjin në fjalë, në cilësinë e komisioneve për dhënie mendimi. Më pas, anëtarët e komisioneve ia kaluan për miratim seancës plenare. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.