Shebenik-Jabllanica, parku më i vizituar nga të rinjtë

460

TIRANË, 15 tetor / ATSH / – Parku Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë” mbetet i vizitueshëm në çdo fundjavë. Kryesisht janë të rinjtë ata që preferojnë të ngjiten në këtë park, qoftë edhe për shkak të terrenit të thyer. Këtë fundjavë me të rinjtë e ardhur nga Elbasani e Tirana,  u bashkuan dhe  nxënësit e shkollës së bashkuar “Shefqet Dosku” Dorëz. Kur kjo moshë e kalon kohën e lirë në aktivitete sportive, apo në vëzhgim të natyrës, do të thotë të qëndrosh më pak pranë teknologjisë dhe rrjeteve sociale.

Kjo është stina kur ky park kthehet në një destinacion turistik për vizitorët e natyrës dhe të aventurës. Bimësia fillon të ndërrojë ngjyrë, gjethet vizatojnë në tokën ku bien tapetet e verdhë dhe reshjet nuk kanë filluar akoma.

Rreth 10 mijë turistë, kryesisht të rinj, vendas e të huaj e kanë vizituar vitin e kaluar Parkun Kombëtar në Qarkun e Elbasanit. Një pasuri turistike e pakonkurrueshme, që pret vizitorë të apasionuar pas aventurës, natyrës, traditës dhe historisë.

Është një vend i thyer me kontraste të forta gjeografike, ku mund të gjesh që nga fushat e blerta, lumenj, shpella deri te lartësitë e maleve me borë.

Janë dy lumenj dhe disa burime të vogla ujore që rrjedhin përmes zonës së Parkut, përfshirë në veri lumin e Qarrishtës që bashkohet me lumin Rrapun dhe në jug lumin e Bushtricës, që bashkohet me lumin Shkumbin. Brenda parkut gjenden mbi 14 liqene akullnajore të vogla me bukuri madhështore, të cilat ndodhen në një lartësi mbi 1900 metra mbi nivelin e detit.

Pothuajse i panjohur për pjesën më të madhe të vendit, vitet e fundit, Parku Kombëtar i Shebenikut ka nisur të promovohet dhe të nxisë tërheqjen e turistëve.

Drejtoria e Zonave të Mbrojtura të Qarkut Elbasan është kujdesur që të vendosë në të gjithë parkun tabela orientuese për vizitorët, por edhe të shoqërojë çdokënd që ka dëshirë të shijojë mrekullitë e tij.

Parku Kombëtar i Shebenikut ka mjaft monumente natyrore të shpallura apo jo, që mund të vizitohen nga turistët dhe studiuesit.

Me interes është Kisha e Kosharishtit e ndërtuar në një shpellë me figura e mbishkrime që nga shek. II para erës sonë, që duhet të jetë gjithashtu pjesë e guidës nëse doni të vizitoni Parkun Kombëtar të Shebenikut.

Kjo shpellë-kishë është e vendosur në një shkëmb në lartësi rreth 70 metra nga niveli i lumit të Qarrishtës, ku janë pikturuar Shenjtorja Mari dhe dishepujt gjatë një ceremonie.

Shumë i rëndësishëm fakti që ngjyrat në këto piktura nuk janë zhdukur dhe qëndrojnë ende të gjalla.

Do të gjeni në Shebenik liqenet karstike, liqenin e Fushë-Studnës, Vlaskën, Fushën e Dorëzit, Bredhin e Fushë-Kuqes, Rrapin e Taksimit, Shkallën e Skënderbeut, Gurrën e Ariut e shumë zona të tjera që presin vizitorë.

Moratoriumi i gjuetisë bëri që edhe kafshët e egra të shtohen, për t’i dhënë më tepër gjallëri kësaj zone.

Gjatë monitorimeve të saj me kamera kurth, Drejtoria Rajonale e Zonave të Mbrojtura ka arritur të fotografojë një sërë kafshësh të egra si, derri i egër, ariu, kaprolli, ujku etj.

Shoqata të ndryshme që kanë në fokus aktivitet sportive kohët e fundit po i organizojnë ato në këtë park.

Gara të çiklizmit malor, alpinizëm apo ski e kanë bërë tashmë këtë park më të njohur dhe me siguri një nga destinacionet më tërheqëse të turizmit të natyrës shqiptare. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.